F1, Hamilton: Pësova aksident në Monako

12/11/2015 14:00

Lewis Hamilton do të jetë i pranishëm në Çmimin e Madh të Brazilit. Është vetë kampioni i botës në Formulën 1 që e ka konfirmuar këtë lajm nëpërmjet një mesazhi në Instagram, duke shuar të gjithë dyshimet e shfaqura së fundmi në media për një mungesë të mundshme të tij në garën e parafundit të këtij sezoni, në pistën e Interlagosit.

“Nuk kam qenë mirë për shkak të gripit, por pësova edhe një aksident rrugor në Monako. Nuk pati të lënduar, por makina u dëmtua. Së bashku me mjekët u vendos që unë të nisesha në drejtim të Brazilit një ditë më vonë. Tani ndihem më mirë. Po e bëj këtë deklaratë sepse e ndjej që të gjithë ne duhet të marrim përsipër përgjegjësitë për veprimet tona. Ndodh të bësh gabime në jetë, por ajo që ka më shumë rëndësi është që të mësosh prej këtyre gabimeve dhe të përmirësohesh. Mezi po pres që të zhvilloj garën e fundjavës në Brazil”, shkroi britaniku i Mercedesit.

Top Channel