Mirela Juka, e apasionuara pas të lexuarit

11/11/2015 00:00

Mirela Juka pati kontaktin e parë me librin kur ishte vetëm 6 vjeç. Që nga ajo kohë, vajza e ka kthyer leximin në ritual, pa të cilin nuk bën dot.

Nuk ka rëndësi nëse është roman, poezi apo studim; për Mirelën, libri është dashuri më vete. 26-vjeçarja ka në shtëpi një bibliotekë të trashëguar fillimisht nga babai, Gëzim Juka, e cila është pasuruar me rritjen e vajzës.

Në adoleshencë i ka kaluar nëpër duar të gjitha rrymat, që nga rilindasit, modernizmin, absurdin, surrealizmi magjik , “fiction”-in, letërsinë filozofike apo dramën.

Edhe pse i ka lexuar gati të gjitha librat e rafteve, disave u rikthehet për të dytën herë, pasi rigjen gjëra interesante. Lidhja e fortë me babain ka qenë frymëzuese për të renë, që dhe sot e kësaj dite diskuton me të për libra të ndryshëm.

Në shtëpi ka mbi 5000 libra, por ende nuk është e kënqaur me këtë numër. Mesatarisht në muaj mund të lexojë 4 deri në 5 libra të zhanerave të ndryshëm. Ka qejf që një ditë, jo vetëm të vazhdojë të lexojë libra, por pse jo edhe të shkruajë vetë, duke e pasuruar bibliotekën me librat e saj.

Me vendosmërinë dhe pasionin që ka, me siguri vajza një ditë do ta bëjë realitet këtë gjë.

Top Channel