Lunaçek: Kosova, në rrugën e duhur. Duhen reforma të thella

11/11/2015 10:45

Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, në përfundim të vizitës në Prishtinë tha se Kosova, si shteti më i ri i Europës ka hapur një faqe të re të historisë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila – sipas saj, – do t’i hapë rrugë produkteve kosovare të hidhen në tregjet e shteteve të BE-së.

Përveç MSA-së, Lunaçek u shpreh optimiste edhe për rekomandimin, që Komisioni Europian pritet t’i japë Kosovës për liberalizimin e vizave. Ajo tha se, në këtë rast, Kosovës i është kërkuar rivendosja e kontrollit të dyfishtë me Shqipërinë, diçka për të cilën ajo tha se qytetarët nuk do të ndihen mirë, por do t’u duhet ta zbatojnë.

Diplomatja europiane u shpreh kritike për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke porositur institucionet e Prishtinës zyrtare të jenë të kujdesshme dhe të mos bëjnë gabime, të cilat mund të lëkundnin qëndrimin e ministrave të Brendshëm të shteteve anëtarëve të BE-së për t’i thënë ‘po’ liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lunaçek kërkoi nga opozita kosovare të mos përdorë dhunën, por t’i rikthehet debatit dhe gjuhës së argumenteve në Kuvend.

“Opozita duhet të mos përdorë mjetet e dhunës. E kam thënë edhe më parë se, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i vezëve në Parlament duhet të shmanget. Mendoj se Parlamenti është vendi për debat dhe argumentim”, tha Ulrike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Europian.

Megjithë këtë, edhe Ulrike Lunaçek ka vërejtje rreth përmbajtjes së marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe theksoi, që në rast se Gjykata Kushtetuese gjen mangësi në marrëveshje, ajo duhet të rishikohet.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, nëse kjo e fundit vendos se jo gjithçka në atë marrëveshje është në përputhje me Kushtetutën, atëherë ajo duhet të ndryshojë. Nëse ky është vendimi i gjykatës, kjo duhet të ndryshojë. Mund t’iu them se, një pjesë të marrëveshjes e shoh problematike. Nëse thuhet se anëtar i këtij asociacioni duhet të jetë vetëm serb, atëherë nuk e shoh të rregullt në një vend që ka përcaktim multietnik. Prandaj, besoj që rinegocimi duhet të zërë vend”, tha Ulrike Lunaçek.

Lunaçek ka folur në Prishtinë edhe për dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, duke kritikuar kështu qasjen e Serbisë, por edhe mungesën e unitetit, që të gjitha shtetet e Bashkimit Europian ta votonin Kosovën për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.

Top Channel