Kosovë, Kushtetuesja pezullon marrëveshjen për Asociacionin

10/11/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur si masë të përkohshme, pezullimin e marrëveshjes për Asociacionin, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e këtij institucioni.

Vendimi është publikuar në faqen e internetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku sqarohet se, në seancën e së martës gjykata miratoi masën e përkohshme për kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës “lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme apo Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese pezullon zbatimin e çfarëdo veprimi të mëtejshëm ligjor mbi bazën e përmendur nga Presidentja, deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim për masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm, që do të nxirret nga gjykata për pranueshmërinë, apo për meritat e kërkesës, thuhet më tej në vendim.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të nënshkruar më 25 gusht nga kryeministri Isa Mustafa dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Ajo kishte kërkuar edhe masën e përkohshme, duke pamundësuar kështu fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, pa u sqaruar rasti në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel