Raporti për Maqedoninë, KE rekomandon çeljen e negociatave. Përmendet edhe “Kumanova”

10/11/2015 16:20

Për të shtatin vit me radhë, Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por këtë vit rekomandimi është i kushtëzuar me zbatimin e plotë të marrëveshjes së 2 qershorit. Nëse deri në prill të vitit të ardhshëm nuk zbatohen reformat që dalin nga dokumenti për zgjidhjen e krizës, vendi rrezikon të humb rekomandimin.

“Zakonisht hartojmë raporte një herë në vit, por këtë radhë për shkak të situatës, Komisioni Europian do t’i rikthehet këtij vendi edhe një herë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe do të bëjë të ditur nëse vendi do të ruajë rekomandimin apo do të pasojë diçka tjetër”, deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Maqedonia këtë vit ka marrë kritika të shumta nga Komisioni Europian. Brukseli ka vërejtur regres në shumë fusha, si në gjyqësor, media apo luftën kundër korrupsionit. Problem përbën edhe dialogu politik.

Sinkron; Aivo Orav, ambasadori i BE-së në Maqedoni – (përkthim-dublim) –
“Ky vit ishte përplot me sfida serioze. Vendi u përfshi në krizën më serioze me të cilën është përballur nga viti 2001. Bisedat e përgjuara telefonike zbuluan përfshirjen e zyrtarëve në shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, po ashtu ndikimin në gjyqësi, media, zgjedhje dhe gjithsesi u zbuluan edhe afera korrupsioni”, u shpreh Orav.

Në raportin e Komisionit Europian për Maqedoninë, flitet edhe për ngjarjet e Kumanovës dhe marrëdhëniet ndëretnike.

“Sa i përket raporteteve ndërketnike, më duhet të them se vërejmë çështje shumë të komplikuara të shoqëruara me zhvillime kritike, siç ishin ngjarjet e Kumanovës më 9-10 maj. Nevojitet më tepër angazhim për të forcuar besimin mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe në këtë drejtim nevojitet edhe finalizimi i analizës për Marrëveshjen e Ohrit”, vijoi ambasadori i BE-së në Shkup.

Nga Maqedonia po ashtu kërkohet të punojë më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, reformimin e administratës dhe të shtojë luftën kundër krimit të organizuar. Në raport është vlerësuar kthimi i opozitës maqedonase në Kuvend, sjellja e ligjit për Prokurorinë Speciale dhe marrëveshja e arritur mes katër liderëve politikë për zgjidhjen e krizës.

Top Channel