“UNESCO”, Lunaçek: BE të japë shpjegime

10/11/2015 00:00

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek i është drejtuar studentëve kosovarë në universitetin e Prishtinës duke nisur kështu edhe vizitën tri ditore në Kosovë. Ajo ka komentuar pengesat serbe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe sipas Lunacek, rezultati i votimit në Paris vë në dyshim fatin e dialogut mes dy shteteve.

“Votimi i sotëm i UNESCO-s më ka dhënë dyshime se si ky dialog duhet të vazhdojë dhe ende nuk e di se në çfarë drejtimi do të shkojë. Por çka mund të premtoj është që do të shkoj në Bruksel dhe do të përpiqem të flas me Mogherinin dhe të tjerët, që të shoh cfarë mund të bëhet në të ardhmen që ta bëjmë Serbinë të shkojë përpara dhe jo të ndalojë gjëra të tilla, që mendoj se janë edhe në interes të serbëve. Unë e kam përkrahur dialogun dhe ka progres, por jo mjaftueshëm. Duhet bërë më shumë nga pala serbe, por gjithashtu edhe nga ajo kosovare dhe përpjekjet duhet të vazhdojnë nga të dyja anët”, thotë Ulrike Lunacek, nënkryetare e PE.

Lunacek tha se diplomatët kosovarë, duhet të shohin se cilat strategji duhen përmirësuar herën tjetër. Ndërsa e pyetur nga studentët se si do të vepronte po të ishte në pozitën e kryeministrit Isa Mustafa, Lunacek tha se do të kërkonte sqarime nga Bashkimi Evropian.

“Do të shkoja në Beograd dhe do tu thoja se kjo nuk është mënyra e duhur, po ashtu do të shkoja në Bruksel dhe të flisja me Mogherinin dhe të tjerët dhe t’u them se duhet ndryshuar mënyrën se si të merremi me Serbinë. Unë do të kërkoja sqarime nga BE. Ajo që ka bërë tani Serbia me UNESCO nuk është dicka që duhet pranuar. Në politikë duhet të flisni veçanërisht me ata që nuk ndani mendime të njëjtat. Po të isha kryeministre e Austrisë p,sh, do të vazhdoja diskutime të forta me Vucicin dhe do t’i thoja, jo herën tjetër dhe duhet të zbatosh atë që ke premtuar”, vijoi Lunaçek.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, u ka bërë thirrje qeverisë dhe opozitës në vend, që të zgjidhin krizën me anë të dialogut. Ajo tha se gazi lotsjellës dhe vezët nuk janë të pranueshme, pasi vet fjala ‘parlament’ ka të bëjë me të folurit dhe puna aty nuk duhet bllokuar.

Top Channel