Kosova, kërkesë Shqipërisë; Bunjaku: Mos na i merrni më talentet

10/11/2015 12:10

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku ka dalë këtë të martë në një konferencë për shtyp, ku ka prezantuar formacionin për ndeshjen miqësore me Shqipërinë.

Bunjaku bëri të ditur se ka grumbulluar 19 futbollistë, ndër të cilët dy lojtarë që luajnë në ekipe zvicerane, e që do të jenë për herë të parë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Bëhet fjalë për Alban Pnishin dhe Hekuran Kryeziun, për të cilët tha se premtojnë shumë.

Lojtarët e tjerë të përzgjedhur për këtë miqësore janë: Samir Ujkani, Visar Bekaj, Ilir Berisha, Loret Sadiku, Fanol Prededaj, Denis Markaj, Leart Paçarada, Alban Pnishi, Avni Pepaj, Enis Alushi, Hekuran Kryeziu, Eroll Zejnullahu, Mërgim Ibrahimi, Besar Halimi, Valmir Sulejmani, Bernard Berisha, Elbasan Rashani, Bersant Celina dhe Shpëtim Hasani.

Bunjaku shtoi se, ndeshja e së premtes, që do të luhet në orën 14 nuk do të jetë për rivalitet, por një lojë festive dhe një rast i mirë për Kosovën, që të luajë kundër Shqipërisë më të mirë të të gjitha kohërave.

“Kjo ndeshje është një përballje festive, një rast shumë i mirë për kombëtaren e Kosovës që në aspektin sportiv të luajë kundër Shqipërisë më të mirë të të gjitha kohërave. Një kombëtare, ajo kuqezi, që është kualifikuar edhe në kampionat europian. Kjo ndeshje do të luhet në Prishtinë, që e bën edhe më madhështore, duke marrë parasysh se tifozë të shumtë duan t’i shohin të gjithë këta lojtarë së bashku në një kombëtare”, tha Albert Bunjaku, trajner i kombëtares së Kosovës në futboll.

Edhe pse ka thënë se mbetet në vullnetin e lojtarëve të zgjedhin, Bunjaku ka dhënë një mesazh për lojtarët që tashmë i ka marrë Shqipëria, duke sjellë si shembull dy ‘vëllezër’ që ndërtojnë një shtëpi e që – sipas tij, – nuk është mirë të hiqen gurë nga themelet e asaj që ka nisur të ndërtohet rishtazi.

“Ndoshta e keni dëgjuar këtë shprehje, e kam thënë edhe më herët. Kur janë dy vëllezër dhe njëri ndërton një shtëpi, tashmë e ka lyer atë dhe ka vendosur edhe dritaret, teksa përpiqet të ngrejë katin e dytë, tjetri është duke ndërtuar themelin e shtëpisë. Edhe për ne është shumë e rëndësishme ta krijojmë themelin. Por nuk do të jetë i mirë ai themel, nëse një gur do të hiqet prej atij. Unë mendoj se mund të krijojmë dy shtëpi shumë të forta, shumë afër njëri-tjetrit, me dyer të hapura, ashtu siç i takojnë dy vëllezërve”, tha Albert Bunjaku.

Gjithsesi, Bunjaku thotë se duhet të ketë një projekt mes Shqipërisë dhe Kosovës për zhvillimin e talenteve të përbashkëta në të ardhmen.

I fundit i lojtarëve nga Kosova, që është grumbulluar nga De Biasi për miqësoret me Kosovën dhe Gjeorgjinë, është Frederik Veseli, kampion bote me Zvicrën e 17-vjeçarëve.

“Është kënaqësi që jam me Shqipërinë. Unë erdha për kombëtaren, Kosova nuk është ende e pranuar nga FIFA. Kur të thërret Shqipëria, për mua është thirrja e një kombi. Kam pasur kontakte prej dy vitesh me De Biasin, tani të shohim”, tha Frederik Veseli, futbollist i kombëtares shqiptare.

Federata kosovare e Futbollit pritet të anëtarësohet vitin e ardhshëm në organizmat më të lartë të futbollit europian dhe atij botëror. Gjithsesi, shumë lojtarë me origjinë nga Kosova që luajnë për ngjyrat kuqezi, kanë deklaruar më parë se nuk do të ndryshojnë kombëtare, edhe nëse Kosova do të pranohet nga UEFA dhe FIFA.

Top Channel