AAK paralajmëron bllokimin e Kuvendit para buxhetit 2016

08/11/2015 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar një tjetër bllokadë të Kuvendit, kur të vihet për votim buxheti i shtetit për vitin 2016.

Zyrtarë të partisë së Ramush Haradinajt deklaruan, të dielën gjatë një konference për media, se buxheti mund të shqyrtohet dhe miratohet, vetëm pasi qeveria të heqë dorë nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave serbe dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

“Këto janë dy çështje të ndara; në qoftë se çështja e bllokimit të Kuvendit për shkak të dy marrëveshjeve vazhdon, atëherë edhe miratimi i buxhetit hyn në grupin e vendimeve, që nuk do të përkrahen pa e shqyrtuar përmbajtjen. Nëse këto pengesa tejkalohen, atëherë ne do ta shqyrtojmë dhe do të marrim një vendim për përmbajtjen e buxhetit, si dhe do të japim vërejtjet tona. Nëse ato përfshihen, ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se buxheti është një dokument thelbësor për funksionimin e shtetit”, tha Haki Shatri, AAK.

Shatri shtoi gjithashtu se, buxheti i propozuar nga qeveria për vitin e ardhshëm është deficitar, pasi – siç tha ai, – ka 11 milionë euro të ardhura më pak sesa shpenzimet e planifikuara.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Iliriana Gafurri foli për lëvizjet e pensioneve, më konkretisht për rritjen e tyre nga qeveria, një veprim që – sipas saj – është bërë për të blerë paqen sociale.

“Po u rikujtojmë kryeministrit dhe kësaj qeverie se, paqja ekonomike nuk fitohet me 24 milionë, por fitohet me krijimin e vendeve të reja të punës, me ato 120 mijë vendet e premtuara, me rritje të zhvillimit ekonomik, me rritjen e GDP-së për frymë. Kur kjo qeveri planifikon një buxhet, i cili të gjenerojë rritje ekonomike mbi 8%, atëherë mund të themi se të paktën kanë filluar të ulin papunësinë. Me këto politika, kryeministri dhe kjo qeveri mund të kenë gjithçka vitin e ardhshëm, e jo vetëm atë që pretendojnë, paqen ekonomike”, tha Iliriana Gafurri, AAK.

Zyrtarët e AAK-së i kanë bërë thirrje qeverisë, që mos të bëjnë shpenzime buxhetore pa planifikim të zhvillimit ekonomik, pasi sipas tyre këto veprime po varfërojnë gjithnjë e më shumë qytetarët.

Top Channel