“Djajtë e kuq”, të “pangopur”. Van Gaal kërkon sulmues

08/11/2015 00:00

Edhe pse rivalizon për titullin kampion në Premier League dhe ka një arsenal lojtarësh për t’u pasur zili nga gjysma e planetit, Louis Van Gaal nuk kënaqet me kontigjentin aktual të futbollistëve.

I mbështetur nga financat e skuadrës së dytë më të vlefshme në futbollin botëror, trajneri holandez do të bëjë të pamundurën të sjellë një sulmues të ri në “Old Trafford” gjatë merkatos së dimrit.

Louis Van Gaal nuk është i kënaqur me produktivitetin e sulmit të skuadrës, ndaj dhe paralajmëron përforcime në janar. Që nga fillimi i sezonit, Manchester United është përballur me shumë probleme në fazën e sulmit. Këtë, më së miri e tregon edhe fakti, që në 4 ndeshjet e fundit “djajtë e kuq” kishin realizuar vetëm një gol, përpara sfidës së kësaj të shtune të fituar 2-0 me ËBA-në.

“Ne duhet të shënojmë më shumë gola dhe jam dakord me kritikat, por mua më mjafton edhe nëse realizojmë vetëm një gol më shumë se kundërshtari. Na duhen ende lojtarë në fazën e sulmit dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, që të gjejmë të duhurit, sidomos në krahët e formacionit tonë”, theksoi holandezi.

Van Gaal pranoi se pritshmëritë e tifozëve në një klub si Manchester United janë të larta dhe ai e dinte presionin që do të kishte në pankinë, në momentin që firmosi me “djajtë e kuq”.

“Kur luan me United duhet të besosh se vendi i parë të përket ty, sepse kjo është kultura e klubit. Të gjithë ata që vijnë e ndiejnë presionin, por duhet të përballesh sepse nuk ke alternativa. Kur erdha këtu ishim në vendin e 7, ndërsa tani jemi më pranë titullit”, tha Van Gaal.

Top Channel