Blatter, i stresuar. Në spital, për kontrolle mjekësore

06/11/2015 00:00

Presidenti i pezulluar i FIFA-s, në largim, Sepp Blatter i është nënshtruar kontrolleve shëndetësore për probleme të lidhura me stresin në një spital zviceran. Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij mbrojtës, Richard Cullen.

79-vjeçari, që ka udhëhequr organizmin më të lartë të futbollit botëror për 18 vite, u pezullua për 90 ditë pas një vendimi të muajit të kaluar për shkak të skandalit aq shumë të mediatizuar të korrupsionit që tronditi FIFA-n.

Cullen është shprehur se, tashmë ai është mirë dhe pret të dalë nga spitali për të shkuar në shtëpi së shpejti”.

Blatterit i është sugjeruar të “qëndrojë i qetë dhe i pastresuar gjatë ditëve në vijim”, sipas zëdhënësit të tij, Klaus Stoehlker.

Së bashku me Blatterin, edhe presidenti i UEFA-s Michel Platini, njëkohësisht zëvendëspresident i FIFA-s, ka marrë të njëjtin pezullim 90-ditor, pas ngritjes së hetimit penal nga autoritetet zvicerane dhe ato amerikane, për parregullsi financiare në selinë e organizmit më të lartë të futbollit.

Hetimet konsistojnë kryesisht në faktin nëse Blatter ka keqpërdorur paratë e FIFA-s, duke bërë një pagesë bankare prej 2 milionë eurosh drejt llogarive të francezit Platini, që siç thonë dy të përfshirët ka qenë për çështje konsultimi.

Të dy krerët e futbollit botëror e europian mohojnë të kenë kryer ndonjë parregullsi, megjithatë, ende pritet një konkluzion i hetimeve për të mësuar nëse Platini do të jetë mes 7 kandidatëve për Presidencialet e FIFA-s, gjatë të cilave do të zgjidhet pasuesi i Blatterit më 26 korrik të vitit të ardhshëm.

Top Channel