Nurburgringu mund të kthehet në F1 në vitin 2017

06/11/2015 13:50

Pista e Nurburgringut mund të jetë sërish pjesë e kalendarit të Formulës 1. Janë administratorët e kësaj piste ata që e kanë deklaruar një gjë të tillë, duke konfirmuar bisedimet e zhvilluara me Bernie Ecclestone.

Këtë sezon, Botërori i Formulës 1 nuk e zhvilloi garën në Gjermani, pasi si Nurburgringu ashtu edhe Hokenhajmi ishin në vështirësi financiare, por gjërat duket se po ndryshojnë. Mësohet se Hokenhajmi do të jetë në kalendarin e vitit 2016, ndërsa Nurburgringu pretendon të jetë në kampionatin e vitit pasardhës.

“Ne dëshirojmë kthimin në Formulën 1 në vitin 2017 dhe për këtë kemi nisur bisedimet me Bernie Ecclestone. Shpresojmë që ky botëror të jetë akoma më i fortë dhe nëse edhe të ardhurat do të jenë të konsiderueshme, atëherë do të kthehemi”, tha shefi ekzekutiv i pistës, Carsten Shumacher për motorsport-total.com.

Shumacher më pas përmendi edhe për tërheqjen e kësaj piste nga kampionati i këtij viti, duke theksuar se e gjithë kjo u bë pasi nuk kishin mbetur shumë alternativa.

“Diskutuam shumë për Formulën 1 të këtij viti e donim shumë që të organizonim garën dhe më vjen keq që nuk luftuam deri në fund. Por ne nuk mundnim dhe nuk donim të merrnim të vetëm rreziqet. Në vend të Formulës 1 zhvilluam një garë të World Endurance Championship që rezultoi e suksesshme”, shtoi Schumacher.

Top Channel