Hahn në Kosovë, takon Jahjagën dhe Mustafën

06/11/2015 00:00

Komisioneri i Bashkimit Europian për Politikën europiane të Fqinjësisë dhe negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn ka qëndruar këtë të premte në Prishtinë dhe është pritur nga krerët më të lartë të shtetit.

Pas takimit me Presidenten Atifete Jahjaga, ku ata diskutuan për zhvillimet e fundit politike, komisioneri Hahn takoi kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Komisioneri europian bëri të qartë se, Kosova e ka kusht vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Në MSA, vazhdimi i dialogut është detyrim ligjor për Kosovën, pasi është një përqëndrim më i madh drejt BE-së. Jam i bindur që kryeministri dhe kabineti i tij kanë vullnetin dhe kurajon politike të vazhdojnë më tutje”, tha Johannes Hahn, komisoner i Bashkimit Europian.

Hahn tha gjithashtu se pret që, pas përmbushjes së kritereve, Kosova të marrë në fund të këtij viti rekomandimin për liberalizimin e vizave, ndërsa sqaroi se më pas mbetet që në vitin e ardhshëm të caktohet data e heqjes së vizave.

Hahn ka folur edhe për krizën politike në Kosovë, duke ftuar deputetët opozitarë t’i kthehen punës në Kuvend dhe t’i japin aty propozimet e tyre.

“Secili politikan dhe ligjvënës duhet të ketë të qartë përgjegjësinë e tij apo të saj, kundrejt votuesve. Edhe njëherë kërkoj nga të gjitha palët, të hyjnë në Parlament dhe të shfrytëzojnë këtë platformë politike për të diskutuar. Nëse bllokohet Parlamenti, atëherë nuk mund të merren vendime. Kjo situatë, normalisht që mund të ketë ndikime, jo vetëm në gjendjen politike të Kosovës, por edhe në çështje të tjera që kanë të bëjnë me BE-në. Kjo pasi, në disa fusha duhen vendimet e Parlamentit”, tha më tej Johannes Hahn.

Kryeministri Mustafa, nga ana e tij u zotua se Kosova do të punojë në zbatimin e MSA-së dhe pret që kjo marrëveshje të hapë një etapë të re të zhvillimit të vendit. Kryeministri kosovar po ashtu tha se presin nga Bashkimi Europian që, pas përmbushjes së kritereve, gjatë këtij viti Kosovës t’i rekomandohet liberalizimi i vizave dhe pastaj vendet anëtare të BE-së të vendosin datën e heqjes së vizave.

Kërkesat e Bashkimit Europian për Kosovën, komisioneri i përsëriti edhe gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, ku ai foli për përfitimet e saj nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe për vazhdimin e integrimt europian.

Por, teksa po mbante fjalimin në Kuvend, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje shpalosën para komisionerit europian dy mesazhe. Njërin me mbishkrimin “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”, ndërsa tjetri me mbishkrimin “A është segregacioni etnik, vlerë e BE-së?!”.

Ky reagim i opozitës nuk u komentua nga komisioneri, i cili pas seancës solemne udhëtoi drejt Mitrovicës për të përuruar një fabrikë uji, për të vijuar pastaj takimin me përfaqësuesit e “Listës Serbe”.

Top Channel