Fitorja e Skënderbeut, flasin Takaj, Josa, Lilaj, Berisha e Nimaga

06/11/2015 00:00

Skënderbeu merr pikët e para në fazën e grupeve të Europa Leagues, pasi fitoi në Elbasan Arena 3-0 përballë Sportingut të Lisbonës, nga i cili u mund 5-1 disa ditë më parë.

Kjo ka qenë një nga paraqitjet më të mira të korçarëve që u konkretizua edhe me rezultat, duke mposhtur braktisjen e tifozëve në stadium. Pas ndeshjes të gjithë ishin të lumtur, me presidentin e skuadrës, Takaj që deklaroi se Sportingu pati fatin e njëjtë si Skënderbeu në Lisbonë.

Trajneri Josa është më këmbë në tokë dhe nuk dëshiron të flasë për kualifikimin, kurse autori i dy golave, Sabien Lilaj paralajmëron Partizanin në luftën për titull.

Shumë të lumtur ishin edhe Bernard Berisha e Bakary Niamaga të cilët janë dy nga lojtarët të cilët mund të braktisin kampionët e Shqipërisë për skuadra jashtë vendit.

Ardian Takaj, president i Skënderbeut: Ajo që i ndodhi Skënderbeut në Lisbonë, i ndodhi edhe ekipit të Sportingut në Shqipëri. E patë sa e vështirë është të luash në inferioritet numerik për 70 minuta. Portugezët thonë se Sportingu u turpërua në Elbasan, por e njëjta gjë ndodhi me ne në Lisbonë, futbolli është futboll. Merkato? Kemi lojtarë të rinj dhe me perspektivë që janë në merkato. Për disa prej tyre kemi edhe oferta konkrete. Do të shqyrtojmë ofertat deri në dhjetor dhe do të vendosim. Nuk do të bëhemi pengesë për lojtarët, përkundrazi ky është synimi ynë, të shesim elementët e rinj.

Mirel Josa, trajner i Skënderbeut: Ishte një rezultat i pastër. Të themi të drejtën nuk e kishim menduar më parë se mund të arrinim një rezultat të tillë. Thjesht lojtarët ishin shumë të motivuar dhe të përqendruar, për të mos toleruar në asnjë moment, pasi kështu rrezikon të ndëshkohesh. Kualifikimi? Të mos fluturojmë. Nuk mund të themi që do shkojmë të kualifikohemi. Për ne ka rëndësi të bëjmë paraqitje të mira për klubin dhe në aspektin individual.

Sabien Lilaj, futbollist: Zakonisht nuk shënoj dy gola, as në kampionat nuk i shënoj ndonjëherë dy gola. Nuk e prisja që kjo të ndodhte kundër Sportingut. Kam shënuar në një ndeshje të madhe dhe realisht jam shumë i gëzuar. Kampionati? Partizani na gjeti në moment jo të përshtatshëm, të lodhur psikologjikisht dhe fizikisht. Skënderbeu ka potencial dhe forcë. E treguam ndaj Sportingut dhe do e tregojmë ndaj Partizanit në fazën e dytë.

Bernard Berisha, futbollist: Kisha shumë dëshirë të shënoja, por më rëndësi ka që fituam. Treguam vlerat reale që kemi si grup dhe një fitore me shumë vlera dhe që do të na motivojë. Skuadra e re? Këtë e di presidenti dhe menaxheri, unë dua të përqendrohem te kampionati dhe ndeshjet e Europa League.

Bakary Niamaga, futbollist: Jam shumë i lumtur, fillimisht për skuadrën, pasi përpara startit të ndeshjes kishim besim se do t’ia dilnim. Kualifikimi? Është pak i vështirë, por ne do të vazhdojmë punën dhe më pas të shohim se çfarë ndodh.

Top Channel