Zbatimi i tërësishëm i marrëveshjes së dy qershorit dhe përmbushja e reformave që i kërkon Brukseli janë dy kushte shumë të rëndësishme në rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Eurodeputetët Rebeka Harms dhe Igor Shotles, kanë shprehur shqetësime serioze për nivelin e demokracisë në Maqedoni dhe kanë kërkuar nga autoritetet angazhim më serioz për kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e vendit.

“Pa institucione të fuqishme dhe të pavarura do të jetë vërtetë e vështirë që të fitohet besimi i qytetarëve dhe do të jetë vështirë që të kontrollohet fuqia e partive politike. Ndaj dua të theksoj është më rëndësi të ngrihet një trup i pavarur që do të kontrollojë fushatën, zgjedhjet dhe shpenzimet gjatë fushatave politike. Një nga segmentet kryesore të demokracisë dhe transparencës është liria e mediave, përndryshe do të ketë shqetësime serioze për nivelin e demokracisë”, u shpreh Igor Soltes, eurodeputet.

Në debatin publik që u zhvillua në Kuvend për procesin integrues të Maqedonisë, zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, tha se vendi nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit në BE dhe NATO, ndonëse nuk tregoi si mund të ndodh integrimi në kushte kur problemet në këtë rrugë sa vijnë e shtohen.

“Segmenti që është shumë i rëndësishëm është çështja e sigurisë dhe stabiliteti, që në periudha krize bëhen gjithnjë e më të nevojshme për domosdoshmërinë e anëtarësimit jo vetëm të Maqedonisë, por të gjithë rajonit në Bashkimin Europian”, tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër i Maqedonisë.

Sa i përket raportit të progresit që pritet të publikohet javën e ardhshme, zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi tha se në të do të pasqyrohet në mënyrë objektive situata politike në Maqedoni dhe të gjitha sfidat me të cilat është përballur vendi gjatë vitit.

Top Channel