Kosovë, raporti për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

05/11/2015 17:25

Koordinatori nacional për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka paraqitur para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës raportin tremujor, korrik-shtator 2015, për rastet e sekuestrimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij shifra e sekuestrimeve gjatë këtij viti deri tani ka arritur në rreth 20 milionë euro, ndërsa gjatë periudhës së tremujorit të raportuar, ai tha se janë konfiskuar pasuri e paligjshme prej rreth 3 milionë euro.

Prokurori ka përmendur edhe një rast ku fajtorë janë politikanë të qeverisë aktuale, por ai nuk përmendi emra.

“Një diçka tjetër pozitive është se për herë të parë një prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës e ka arritur një marrëveshje të fajësisë me dy të pandehur, me një rast ku ka të përfshirë edhe politikanë, zyrtarë aktualë të qeverisë. Ku dy prej të pandehurve, pra bëhet fjalë për më shumë të pandehur, por dy prej tyre janë pajtuar që buxhetit të vendit t’ia kthejnë shumën prej 400 mijë euro”, është shprehur Fazliu.

Fazliu tha se po të kishte një përkushtim më të madh të prokurorëve për zbatimin e plotë të ligji, do të kishte edhe më shumë sekuestrime.

Ky konstatim shtyu kryeprokurorin Aleksandër Lumezi që të kërkojë emra dhe të ndërmerren masa disiplinore ndaj prokurorëve, përderisa Fazliu ia tregoi menjëherë rastet përkatëse.

“Për raportin tjetër, me na cekë cilat kanë qenë lëshimet konkrete dhe cilët kanë qenë prokurorët, të cilët nuk i kanë zbatuar këto dispozita dhe kanë treguar neglizhencë në punë. Ata të cilët kanë treguar neglizhencë në punë, duhet ta njoftojmë Zyrën e prokurorit disiplinorë dhe me fillua procedurën ndaj tyre”. tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit.

“Po kur shkoni të raportet për secilën prokurori, aty në 5 apo 6 raste në secilën prokurori e kemi prekur kur kanë mundur prokurorët me i zbatuar dispozitat e LKZK-së dhe nuk i kanë zbatuar”, tha Fazliu.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar edhe manualin e ri për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë dhe ka diskutuar edhe ka vendosur për shpalljen e konkursit për anëtarin e Këshillit nga Shoqëria Civile.

Top Channel