Benzema, i pandehur për shantazhin ndaj Valbuenës

05/11/2015 00:00

Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, është zyrtarisht i pandehur në çështjen e shantazhit me një video erotike ndaj Mathieu Valbuena, shokut të tij në kombëtaren e Francës.

Prokuroria e Versajës e akuzon për bashkëpunim në shantazh dhe futbollisti tashmë rrezikon 5 vite burg.

Sipas mediave franceze, Benzema, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka ndërhyrë në shantazhin që i është bërë Valbuenës.

AFP ka publikuar se “sulmuesi ka deklaruar se ka rënë dakord me një shok fëmijërie mbi atë që do i thonte Valbuenës, në mënyrë që ky i fundit të negocionte vetëm me të”. Gjithmonë sipas AFP, Benzema i ka shpjeguar hetuesve se donte të ndihmonte shokun e tij (Mathieu Valbuena) dhe nuk kishte qëllim t’i shkaktonte asnjë dëm.

Ndërkohë, kanali francez “M6” ka zbuluar negociatat që Benzema ka zhvilluar me ata që i kanë bërë shantazh Valbuenës: “Mos u shqetëso, nuk ka zgjidhje. Do ia ndryshoj mendjen dhe do ju paguajë”.

Në orët e fundit, Benzema u mor në pyetje në lidhje me një diskutim, që ai pati me Valbuenën gjatë një seance stërvitore me skuadrën përfaqësuese, ku në qendër të tij ishte videoja e marrë nga telefoni i mesfushorit të Lionit, nga 3 persona që i kërkonin 150 mijë euro për të mos e publikuar atë.

Ajo që kërkonin të dinin hetuesit ishte, nëse Benzema e këshilloi shokun e tij të skuadrës për të paguar shifrën e kërkuar. Nëse ai e ka bërë një gjë të tillë, atëherë ai do të konsiderohet si bashkëpunëtor dhe hetuesit do të kenë në dorë shumë elementë për të zgjatur dëshminë e tij në gjykatë.

Top Channel