F1, Hamilton sulmon Schumacherin: Titujt, me zotësinë time. Ndryshe nga gjermani

05/11/2015 00:00

Pak ditë pas shpalljes për të tretën herë kampion bote në Formula 1, Lewis Hamilton, me deklaratat e tij për të përditshmen gjermane “Expres”, ka sulmuar hapur Michael Schumacherin në lidhje me fitoret e tij në botën e Formula 1.

“Nuk i kam bërë asnjëherë gjërat që ka bërë Michael Schumacher për të fituar një botëror. Unë kam fituar gjithnjë falë talentit dhe kapaciteteve të mia”, ka thënë piloti britanik.

Një akuzë kjo, që i bëhet një personi, i cili për arsye fizike nuk ka mundësi për t’iu kundërpërgjigjur.

Sipas mediave europiane, britaniku i Mercedesit i referohet incidenteve të Schumit me Damon Hill në 1994, si dhe atij me Jack Villeneuve në 1997-n.

Deklaratat e Hamilton janë kundërshtuar në mënyrë të menjëhershme nga Reiner Ferling, presidenti i klubi të fansave të Schumacherit.

“Lewis duhet të mendojë mirë para se të flasë. Duhet ta dijë se çfarë është në gjendje të bëjë Michael”, ka theksuar Ferling.

Ndërkohë, drejtuesit e Mercedesit kanë kërkuar të pakësojnë jehonën e deklaratave të pilotit të tyre. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Mercedes thekson se Hamilton ka një respekt të madh për Schumacher dhe monitoron nga afër fazën e rehabilitimit, që po kalon 7 herë kampioni i botës.

Sipas Mercedesit, deklaratat e Hamilton kanë ardhur si shkak i një pyetjeje thumbuese të gazetarit gjerman.

Top Channel