“Unë ende besoj se pas ngjarjeve në Kumanovë ka një skenar të përgatitur nga më shumë se një shërbim sekret. Këtë e them në bazë të njohurive të mia”.

Kështu ka deklaruar për mediat Naser Raufi, avokati mbrojtës i dhjetë të pandehurve nga Kosova për ngjarjen e 9 dhe 10 majit që tronditi Lagjen e Trimave.

Raufi ka pohuar se ai ende nuk e ka marrë aktakuzën, pasi e ajo duhet të përkthehet në gjuhën shqipe dhe ka bërë me dije se do kërkojë që për ngjarjet në Kumanovë të dëshmojnë edhe pjesëtarët e shërbimeve sekrete, emrat e të cilët janë përmendur se janë takuar me grupin e Mirsad Ndrecajt.

Raufi vlerëson se edhe rasti i Kumanovës, ashtu si “Monstra”, duhet të hetohen nga Prokuroria Speciale pasi për të dyja rastet ekzistojnë biseda të përgjuara telefonike.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike ka ngritur aktakuzë kundër 29 personave të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës. Ata akuzohen për veprat penale të “pjesëmarrjes në prganizatë terroriste” dhe “terrorizëm”.

Në luftimet e verifikuara në Lagjen e Trimave të Kumanovës mes forcave speciale policore dhe një grupi të armatosur i prezantuar si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, u  vranë 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit, ndërsa 29 të tjerë, shumica e të cilëve janë shtetas të Kosovës, u arrestuan.

Top Channel