“Masters”-i Parisit, të mëdhenjtë në raundin e tretë

05/11/2015 00:00

Emrat e mëdhenj të tenisit botëror kualifikohen për në raundin e tretë të Turneut “Masters” të Parisit.

Andy Murray, në ndeshjen e tij mundi me shumë lehtësi të riun Coric, me rezultatin 2-0. Britanikut iu deshën më pak se 1 orë lojë për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide, setet e së cilës i fitoi me rezultatin 6-1; 6-2. Në sfidën e radhës, Murray do të ndeshet me belgun David Goffin, i cili mundi Lajoviç 2-0.

U kualifikua me shumë lehtësi edhe Roger Federer, i cili eliminoi italianin Andreas Seppi 2-0. Federer, i cili vjen në këtë turne pasi fitoi titullin në Bazel, nuk i la asnjë mundësi kundërshtarit të tij t’i kundërpërgjigjej, duke i fituar setet me të njëjtin rezultat 6-1, 6-1.

Po kaq të lehtë e pati ndeshjen e tij në raundin e dytë edhe Rafael Nadal, që mposhti Lukas Rosol 2-0. Spanjolli, i cili e ka përmirësuar ndjeshëm lojën e tij në javët e fundit, nuk shpenzoi shumë energji përballë çekut, duke i mbyllur setet 6-2; 6-2.

Turneu “Masters” i Parisit është aktiviteti i parafundit për këtë vit. Sezoni tenistik do të mbyllet me turneun “ATP Tour Finals”, që do të zhvillohet në Londër, nga 15 nëntori deri në 22 nëntor.

Top Channel