NBA, kampionët të pandalshëm; triumfi i 5-të radhazi

05/11/2015 00:00

Golden State vazhdon fluturimin në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Kampionët në fuqi regjistruan një tjetër fitore, e këtë radhë në parketin e saj ndaj Los Angeles Clippers me rezultatin 112-108.

Si gjithnjë, protagonist për Warriors u bë Stephen Curry, autor i 31 pikëve, 21 prej të cilave nga distanca e 3 pikëve. Për Clippers nuk mjaftuan 24 pikët e Chris Paul për të evituar këtë disfatë, ndërkohë që lajmi më i keq për këtë basketbollist është dëmtimi muskular i pësuar në çastet e fundit të takimit.

Një tjetër skuadër që nuk ka pësuar humbje në këtë fillimsezoni të kampionatit amerikan të basketbollit është Toronto Raptors. Skuadra kanadeze mundi Oklahomën në fushën e kësaj të fundit, me rezultatin 103-98, kjo falë formës së mirë të paraqitur nga DeRozan, që e mbylli ndeshjen me 28 pikë.

San Antonio Spurs pësoi humbjen e dytë në kampionat. Skuadra teksane u detyrua të dorëzohej përballë Uashingtonit, teksa u mund me rezultatin 99-102. Ai që vendosi fatin e takimit në favor të Wizards ishte Bradley Beal, me një gjuajtje të saktë në sekondën e fundit të ndeshjes.

Cleveland Cavaliers mposhti Nju Jork Knicks 96-86 në Ohio. LeBron James e mbylli ndeshjen me 23 pikë, duke e fituar sfidën personale me mikun e tij Carmelo Anthony, me këtë të fundit që e mbylli sfidën me 17 pikë dhe 12 topa në tabelë.

Në ndeshjet e tjera, Indiana mundi Boston 100-98, Portland fitoi me Utah 108-92, Ndërsa Houston mposhti Orlandon 119-114.

Top Channel