Kosovë, debate në Komisionin e Financave

04/11/2015 18:15

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar në parim Projektligjin për vitin 2016 dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin në lexim të parë të këtij projektligji, i cili u prezantua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Buxheti i vitit 2016,  prej 1 miliardë 598 milionë euro paraqet një rritje prej 4.1 përqind krahasuar me atë të këtij viti.

Në mbledhjen e komisionit u tha se buxheti mundëson realizimin e  projekteve kapitale që janë në zbatim e sipër.

Ndërsa në përgatitjen e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2016, ministri Hoti tha se  janë marrë parasysh treguesit kryesorë makroekonomikë dhe në harmoni me rregullën aktuale fiskale të deficitit buxhetor.

Komisioni shqyrtoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

Komisioni shqyrtoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i cili është shoqëruar me debate të forta.

Kryetari i këtij Komisioni, Naser Osmani, ka deklaruar se në këtë ligj po shkelet Kushtetuta e vendit dhe atë është duke e bërë përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

“Është me diskriminimin që po bëhet me këmbënguljen e Bashkimit Europian, që ka të bëjë me përparësinë e dhënies në tender të ndërmarrjeve vendore. Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon këtë diskriminim kur ka të bëjë me konkurrencën. Por, ka qenë këmbëngulja i Zhbogarit, i cili është munduar edhe të tregojë forcën. Ne do të flasim haptas dhe të tregojmë se cilat janë interesat e të tjerëve që të ndërhyjnë në ligjin e prokurimit. Ne duam ligj të prokurimit të kontrolluar, transparent e të zbatueshëm edhe ata që e zbatojnë të jenë të mirëtrajnuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka kërkuar që të mos lejohen këto ndërhyrje, pasi kjo përgjegjësi bie direkt mbi ministrinë e Financave.

Top Channel