Kosovë, Mustafa: Serbia diskriminon qytetarët tanë

04/11/2015 13:20

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përsëritur të mërkurën zotimet e Kosovës për të ruajtur të gjithë trashëgiminë kulturore dhe fetare edhe pas anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Kreu i ekzekutivit kosovar doli në një konferencë për shtyp, bashkë me ministrin e arsimit.

Duke komentuar fushatën negative që po bën Serbia, Mustafa tha se fjalori kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është i papranueshëm dhe i njëjtë me atë të shtetit serb para luftës: “Serbia nuk kërkon asgjë më pak sesa diskriminimin e qytetarëve tanë, diskriminimin e qytetarëve të një vendi të pavarur dhe jo vetëm shqiptarëve, por edhe të serbëve, boshnjakëve, romëve dhe turqve, sepse ata janë qytetarët tanë dhe kanë dëshirë të jenë pjesë e një agjencioni të OKB-së. Unë konsideroj se Serbia ka nevojë të vetëdijësohet sepse një shtet i cili nuk është i vetëdijshëm për veprat dhe krimet e tij në të kaluarën, nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e shtetit tjetër, për fatin e njerëzve që kërkojnë dije, paqe, siguri dhe këta njerëz janë njerëz të Kosovës”.

 Ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, foli lidhur me përfitimet në fushën e arsimit që do të sjellë anëtarësimi në UNESCO: “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ndihmojë Kosovën në formulimin dhe zbatimin e politikave arsimore, duke përforcuar kapacitetet edukative dhe ato shkencore. Aktualisht, Kosova ka gjithashtu një nevojë në rritje për një gamë të gjerë të politikave relevante të statistikave të besueshme, kryesisht në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë”.

Bajrami tha se në rrafshin praktik, në shkencë, kulturë dhe arsim, UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, në të cilën Kosova do të mund të merrte pjesë që në vitin e parë pas anëtarësimit.

Top Channel