F1, tërhiqet pilotja Susie Wolff

04/11/2015 12:30

Susie Wolff do t’i thotë lamtumirë botës së garave automobilistike. Është vetë pilotja e Williams ajo që e ka bërë të ditur këtë lajm, duke theksuar se tani ajo është në kërkim të sfidave të reja.

“Po mbyll një kapitull dhe mezi po pres të hap një të ri në të ardhmen. Dua të falenderoj Williams për mundësinë që më dha gjatë këtyre viteve të fundit, duke bërë që ëndrra ime për të drejtuar një makinë të Formulës 1 të bëhet realitet. Ishte diçka fantastike të punoje me stafin e kësaj skuadre dhe dua t’i falenderoj të gjithë që u bënë pjesë e udhëtimit tim te Williams“, tha Wolff e cila kaloi 7 vjet në garat DTM me Mercedes përpara se të hynte në botën e Formulës 1.

Susie Wolff u bashkua me Williams në prill të vitit 2012 dhe këtë sezon ajo u caktua si pilotja e testeve të Williams. Vitin e kaluar në Silverstone, ajo  mori pjesë në një prej sesioneve të provave të lira të atij Çmimi të Madh, duke u bërë e para pilote femër që e arriti një gjë të tillë. Gjatë qëndrimit të saj te Williams, Susie Wolff ka marrë pjesë në 4 sesione provash të lira dhe në një numër të konsiderueshëm testesh.

Wolff do të zbresë për herë të fundit në një pistë të garave automobilistike në 20-21 nëntor në stadiumin Olimpik të Londrës, ku do të marrë pjesë si garuese në “Race of Champions”.

Top Channel