Shantazhi ndaj Valbuenës, ndalohet Karim Benzema

04/11/2015 12:05

Karim Benzema futet sërish në telashe. Sulmuesi francez është ndaluar sërish nga policia dhe këtë radhë jo për shkak të drejtimit të makinës pa patentë. Mësohet se sulmuesi i Realit të Madridit është i përfshirë në çështjen e shantazhit për një video erotike në dëm të mesfushorit të Olimpikut të Lionit dhe përfaqësueses franceze, Matjë Valbuena, dhe tashmë është nën kontrollin e policisë në Versajë.

Por Benzema nuk është i vetmi që u ndalua me akuzën për shantazh ndaj Valbuenës. Në 13 tetor policia ndaloi edhe ish-futbollistin e Lacios, Xhibril Sise, me të njëjtin motiv, por më pas e la atë të lirë.

Mësohet se prokuroria franceze i ka nisur hetimet në lidhje me këtë shantazh në muajin qershor, kur vetë Valbuena deklaroi se kishte marrë një telefonatë anonime gjatë grumbullimit të tij me Francën. Sipas tij, personi që i telefonoi i kërkoi 150 mijë euro që të mos publikojë këtë video erotike të futbollistit.

Top Channel