Greqi, 40 varka me refugjatë të martën. Kryqi i Kuq shton ndihmën financiare

03/11/2015 00:00

Pas publikimit të një videoje me pamjet dramatike nga operacioni i shpëtimit të refugjatëve sirianë prej Rojave Bregdetare greke pranë ishullit të Lesbosit, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) ka deklaruar se do të rrisë ndihmën për Greqinë nga 3 milionë në 12.7 milionë franga zvicerane për rreth 200 mijë refugjatë.

“A është kjo e mjaftueshme? Jo, ne nuk mendojmë se është e mjaftueshme. Ne duam të bëjmë më shumë dhe kjo është arsyeja, pse kemi bashkuar forcat tona këtu për të rritur efektivitetin dhe për të bërë më shumë”, tha Elhadj As Sy, sekretari i Përgjithshëm i IFRC-së.

Sipas federatës, rreth 580 mijë refugjatë, kryesisht të ikur nga Siria e shkatërruar nga lufta, kanë hyrë në Greqi përmes kufirit të saj detar me Turqinë këtë vit, duke krijuar një sfidë të vështirë logjistike, financiare dhe humanitare për shtetin e varfër anëtar të Bashkimit Europian, të gjunjëzuar dhe nga kriza ekonomike.

Numri aktual i të ardhurve në brigjet e ishujve të Greqisë është afro 8000 vetë në ditë, ndërsa përllogaritet se mbi 435 persona janë mbytur prej janarit të këtij viti në ujërat e detit Egje, sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin.

Me përkeqësimin e motit dhe detin e trazuar është menduar të ketë një rënie në numrin e të ardhurve, por vetëm gjatë ditës së martë, mbi 40 anije të vogla dhe barka kanë mbërritur në ishujt grekë. Në ishullin e Egjeut, Lesbos, që ka mbajtur barrën kryesore të fluksit të refugjatëve, morgu tashmë është mbushur me trupat e pajeta të refugjatëve të mbytur.

Pas paralajmërimit shqetësues të Kancelares gjermane se, mbyllja e kufijve nga Gjermania apo Austria mund të çojë deri në konflikte ushtarake në Ballkan, Merkel ka deklaruar se mund të gjendet një zgjidhje e përbashkët e bazuar mbi solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe ka përsëritur nevojën për një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të tij.

“Ne kemi nevojë për solidaritet europian për të trajtuar këtë çështje dhe kjo do të thotë shpërndarje të mekanizmave në Europë. Së fundi, ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, të mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm. Të githë në Europë duhet të punojnë së bashku për këtë dhe në këtë rast mendoj për Greqinë dhe pikat e hyrjes (hotspots) në këtë vend”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Ndërkohë, kryeministri grek Alexis Tsipras ka pranuar një ftesë nga homologu i tij turk, Ahmet Davutoglu, për të vizituar Ankaranë, gjatë së cilës kriza e refugjatëve pritet të jetë një nga çështjet krysore të bisedimeve dypalëshe.

Top Channel