Prishtina, tashmë me treg të lëvizshëm perimesh

03/11/2015 00:00

Prishtina, duke nisur nga kjo e martë, ka një treg të lëvizshëm perimesh. Në sheshin “Adem Jashari” u hap tregu i parë i tillë, ku do të shiten prodhimet e fermerëve vendas.

Ky projekt me vlerë prej 479 mijë eurosh është bashkëpunim i zyrës së Bashkimit Europian, të cilët kanë dhënë 80% të fondeve, si dhe Komunës së Prishtinës, me 20% të fondeve.

Në emër të zyrës së BE-së në Kosovë, një fjalim të rastit mbajti edhe Christof Stock, shef i sektorit për bashkëpunim, i cili tha se rreth 1200 fermerë do të përfshihen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij projekti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se, tregu i lëvizshëm nuk ka vetëm bukuri estetike, por ka edhe rëndësi të madhe ekonomike, sepse kur përmenden prodhimet vendase, nuk flitet për to vetëm nga prizmi i nacionalizmit sentimental, por ka sens ekonomik.

Shpend Ahmeti shpjegoi se, ky projekt nënkupton 100 tezga të lëvizshme, të cilat do të vendosen tri herë në javë në tri lagje të qytetit, pra nga 33 për lagje. “Në këtë mënyrë, ne po i ofrojmë qytetarit mundësinë, që prodhimin e freskët vendas ta blejë në lagjen e vetë”, tha ai.

Në fund, Ahmeti shprehu kënaqësinë që, në këtë projekt po marrin pjesë jo vetëm fermerë nga Prishtina, por edhe fermerët nga Graçanica, si një shembull sesi mund të bëhet integrimi socio-ekonomik i pakicave.

Top Channel