Ndërtimet pa leje në rajon, Lame në Prishtinë: Problem i madh për ne, zaptimi i pronës

03/11/2015 00:00

Në Prishtinë ka nisur këtë të martë Konferenca rajonale për ndërtimet informale, ku marrin pjesë zyrtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Bazuar në disa të dhëna, në nivel rajonal janë rreth një milion ndërtime pa leje, të cilat janë në proces legalizimi dhe urbanizimi.

Duke marrë parasysh faktin se, në këto vende problemet janë pothuajse të njëjta, kjo konferencë u mundëson pjesëmarrësve shqyrtimin e hapave të ardhshëm dhe krijimin e një rrjeti rajonal për shkëmbim informacionesh dhe bashkëpunim ndërmjet zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor.

Artan Lame, drejtor i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave-Ndërtimeve Informale, tha se, përveç problemeve të njëjta me vendet e rajonit, Shqipëria është i vetmi vend që përballet me probleme në pronësinë e tokës.

“Shkëmbimi i eksperiencave midis vendeve tona është i padiskutueshëm, sepse ka shumë probleme të ngjashme në 4 vendet tona, apo edhe më gjerë ndoshta, siç ka edhe probleme që janë fare specifike për vende të veçanta. Mjafton të përmend një problem specifik, që është shumë i rëndë në Shqipëri, që është ai i pronësisë së tokës. Vendet e tjera të rajonit e kanë gati të vështirë ta kuptojnë, sesi mund të zihet prona e tjetrit apo prona e shtetit për të ndërtuar shtëpinë, në një kohë që në Shqipërinë tonë ky është një problem, që është mëse i përhapur dhe një gjë mëse e zakonshme”, tha Artan Lame, drejtor i përgjithshëm i ALUIZNI-t.

Lame tha se, procesi i legalizimit është ndër proceset më të shfrytëzuara nga politika edhe në fushata elektorale, duke marrë si shembull premtimin më të madh që ish-kryeministri Sali Berisha bëri gjatë fushatës, por që – siç tha ai, – nuk diti ta shfrytëzojë.

Procesi i legalizimit në Shqipëri ka shënuar progres dy vitet e fundit, me rreth 35 mijë leje të dhëna, ndërkohë që bazuar mbi këtë eksperiencë, ai ka porositur që politika të mbahet jashtë këtij procesi.

“Gjejeni mënyrën për të mbajtur qytetarin të angazhuar, siç e gjetëm ne në Shqipëri në këto dy vite. Qytetari shqiptar tashmë beson te procesi dhe e ndjek pas atë me ritëm. Nga ana tjetër, mbani sa të jetë e mundur politikën jashtë këtij procesi, sepse përgjithësisht politika e ngatërron si proces”, tha  më tej Artan Lame.

Konferenca do të zgjasë dy ditë, ndërsa rekomandimet e dala do të shërbejnë si udhërrëfyes për punët e ardhshme në rregullimin e ndërtimeve informale dhe parandalimin e krijimit të tyre në të ardhmen.

Top Channel