LeBron James arrin 25 mijë pikë

03/11/2015 00:00

Cleveland shënon suksesin e tretë radhazi, ndërsa LeBron James shkruan historinë në NBA. Skuadra nga Ohio mundi Philadelfian në fushën e kësaj të fundit 107-100  me protagonist The King, i cili në këtë ndeshje u bë basketbollisti më i ri në SHBA që arrin në kuotën e 25 mijë pikëve personale të shënuara, arritje kjo që u shoqërua edhe me një duartrokitje të fortë nga publiku në Filadelfia.

E megjithatë fillimi i takimit nuk ishte shumë i mirë për Cavaliers. Në periodën e parë 76-ers mori avantazhin në 32-18, por gjërat në këtë sfidë ndryshuan në momentin kur James vendosi të marrë përsipër lojën e Cleveland.

Skuadra nga Ohio shkurtoi diferencën në periodën e dytë, ndërkohë që në të tretën mori kryesimin e sfidës për ta ruajtur atë me mjeshtëri deri në fundin e takimit.

Golden State nuk ka skuadër që ta ndalë. Skuadra kampione e NBA regjistroi fitoren e katërt në po kaq ndeshje dhe këtë radhë ajo shkatërroi Memphis Grizzlies 119-69.

Basketbollistët e Warriors ishin të papërmbajtshëm dhe këtë e treguan edhe statistikat e tyre që flisnin për një saktësi prej 50% të gjuajtjeve nga loja e 52% të gjuajtjve nga distanca e 3 pikëve.

Nga ana tjetër, ishte totalisht e kundërta me Memphis, që mezi arriti në 25% të saktësisë në gjuajtjet e basketbollistëve të saj. Padyshim edhe këtë radhë protagonist për Golden State u bë Stiven Kërri, që shënoi 30 pikë në 28 minuta lojë për të pasuruar të dhënat e tij për këtë sezon në 148 pikë në 127 minuta të luajtura, shifra këto që nuk ishin parë që nga koha e Majkëll Jordan.

Në ndeshjet e tjera të NBA, të bie në sy fitorja e parë sezonale e Houston që mposhti Oklahomën 110-105, San Antonio fitoi me Nju Jork 94-84, ndërsa LA Clippers mundi Phoenix 102-96.

Top Channel