Akuzat e “Federbet”, Takaj: S’kanë asnjë fakt, mediat e ekzagjeruan

03/11/2015 00:00

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj ishte i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” ku sqaroi dyshimet që janë ngritur ndaj ekipit të tij në lidhje me trukimet në Europa League.

Takaj u tregua i ashpër me mediat, duke thënë se duhet të jenë më dashamirë ndaj futbollit shqiptarë, dhe jo të bëjnë lajme çdo fjalë që shkruhet apo thuhet nga një i huaj.

“Federbet”, sipas tij, aludon dhe nuk ka asnjë fakt të vetëm për trukim ndeshjesh, ndryshe UEFA do të kishte marrë masa, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

“Nuk është se kemi pasur ndonjë gjë të madhe, vërejtja jonë ishte se duhet të jemi më dashamirë ndaj futbollit shqiptarë. Sepse jo çdo fjalë që mund të thotë një gazetar i huaj, duhet të bëhet një lajm shumë i madh këtu. Ne i përgjigjemi UEFA-s, nuk merremi me aludime. Në rast se UEFA ka një fakt për një trukim ndeshje, jo vetëm për Skënderbeun, por për cilindo skuadër europiane, ajo përjashton nga 5 deri në 10 vjet. Këto janë dyshime që nuk bazohen në fakte dhe kur nuk bazohen në fakte nuk e di si mund të bëhet një lajm shumë i madh. Kaq lajm, me shkronja të mëdha, nuk janë bërë as për rezultatet tona që i kemi arritur në Europë. Kjo nuk i shërben futbollit dhe as skuadrës së Skënderbeut, për të cilin kemi investuar kaq shumë”, u shpreh Takaj.

Gëzim Sinemati ka pyetur nga Takajn se pse nuk ngre padi ndaj “Federbet”, nëse ai është i sigurt se nuk ka fakte për dyshimet e ngritura ndaj Skënderbeut. Mirëpo, Takaj është përgjigjur se Skënderbeu, ashtu edhe FSHF-ja, nuk do të merret me raporte, që sipas tij, janë me qindra që ngrenë dyshime për trukime ndeshjesh.

“Federbet le të bëjë akuzën, në rast se ai e akuzon Skënderbeun atëherë do të përgjigjemi në rrugë ligjore. Edhe kur ta bëjë akuzën, atëherë le të mbushen televizionet dhe gazetat. Por, ata s’kanë asnjë fakt. Sportingu i bën 5 gola edhe Realit nëse këta janë me një lojtar më pak, iu jep dy penallti dhe me atë arbitër”, vijoi Takaj.

Numri një i kampionëve të Shqipërisë ka thënë se është habitur që mediat në Shqipëri nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë për gjykimin në ndeshjen Sporting-Skënderbeu, që sipas tij, nuk ishte në nivel.
“Mua më erdhi keq që asnjë media këtu nuk u morr me arbitrimin. Sportingu ka një buxhet milionësh, por kur edhe gjykimi anon atëherë ne nuk mund ta përballojmë. Sportingu mund të vijë edhe në Shqipëri dhe të na mposht 0-5 dhe s’është aspak çudi”, vazhdoi Takaj.

Ardian Takaj ka thënë se 5 lojtarë të Skënderbeu vazhdojnë të jenë nën monitorimin e skuadrave të huaja, ndërsa Skënderbeu tashmë ka edhe çmimet e tyre. Në lidhje me shumën që kampionët kanë arkëtuar nga garat europiane, Takaj ka thënë se në llogarinë e Skënderbeut janë derdhur 6.1 milionë euro.

Ndërkohë, në lidhje me ndeshjen e së enjtes, ku Skënderbeu pret Sportingun në “Elbasan Arena”, Takaj ka thënë se nuk dëshiron që Skënderbeu të mbyllë aventurën europainë pa asnjë pikë, duke shtuar se do të provojnë të gjitha mundësitë për të nxjerrë një rezultat pozitiv.

Në lidhje me sfidën me Partizanin, që Skënderbeu e humbi në transfertë, Takaj ka pasur vërejtje se ndeshja duhej të luhej të dielën, ndërsa ankesa kishte edhe për gjyqtarët.

“Meqenëse të gjithë luajnë të dielën, ne kemi luajtur të hënën ngaqë luajmë në Europa League, që janë ndeshje vërtetë të lodhshme, pasi janë të një niveli tjetër. Nuk e di pse kjo u kthye nga Partizani, pasi rregullorja sipas këtyre është ndeshja duhet të shtyhet 24 orë pasi të luajnë të gjitha skuadrat , por kjo nuk u shty. Luajtën të mërkurën për Kupë këta, luajtën të dielën në kampionat, normalisht ne duhet të luanim të hënën, por kjo nuk u bë. Vendosin arbitrat e kryeqytetit, që para një viti kur kishim debate me Partizanin, e kemi vendosur që nuk duhet të kemi arbitra lagjesh, pasi ata nga Tirana janë dhe, ose janë tifozë me Partizanin, ose me Tiranën. Ne duam që kur të hyjmë në fushë të jemi të qetë, ia kemi çuar kërkesën Federatës edhe me shkrim, megjithatë kjo ndeshje iku, është e mbyllur për ne. Folëm për rastin, por nuk mund të dalin punonjësit e FSHF-së të mbrojnë nëpër televizione jo ishte gol, jo nuk ishte gol. Rregulloja është e qartë, është gol, s’është gol, kaq deshëm ne”, tha Takaj.

Mirëpo, drejtori i skuadrës së Partizanit, Dritan Dervishi ka hedhur poshtë pretendimet e Takajt, duke thënë se të kuqtë respektuan rregulloren e FSHF-së.

“Nëse unë hyj në ndeshje me mendimin se arbitri mund të favorizojë një ekip tjetër, nuk merrem me këtë punë, ndryshoj punën time. Më vjen keq që zotëri Takaj e diskuton arbitrimin dhe bën polemika me Federatën. Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër Korçës, ne respektuam vetëm linjën e Federatës, respektuam ato që ishin të shkruar në ligjet e Federatës”, deklaroi Dervishi.

Top Channel