“Gijotinë” te Holanda, Van Persie e Memphis Depay jashtë ekipit

02/11/2015 00:00

Dështimi total në kualifikueset e Euro 2016 nuk mund të mos kishte pasoja në kombëtaren holandeze të futbollit, me reformimin e menjëhershëm në repartin ofensiv.

Robin van Persie dhe Memphis Depay janë lënë jashtë grumbullimit të “tulipanëve” nga trajneri Danny Blind, që ka rikthyer ndërkohë një emër si Arien Roben.

Van Persie po vuan për të gjetur një vend në formacionin titullar të Fenerbahçes, ndërsa Memphis Depay që u cilësua si Ronaldo i ri në “Old Trafford”, ende nuk po justifikon milionat e paguar pasi nuk prodhon një asist apo gol që prej muajit shtator.

“Robin asnjëherë nuk është rikthyer në ritmin e tij në fushë që pas transferimit në Turqi dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Por mungesa e Van Persit në kombëtare nuk është përgjithmonë. Unë duhet të shikoj mundësinë për të ndërtuar një ekip për botërorin dhe do të shoh lojtarë të tjerë”, tha trajneri Blind.

Ai ka nënvizuar ndërkohë se mund të rikthejë te “tulipanët”, shënuesin më të mirë të kampionatit holandez, Dirk Kuyt.

Holanda luan në një miqësore ndaj Uellsit më 11 Nëntor, ndërsa më pas do të ketë një përplasje luksi me Gjermaninë më 17 Nëntor.

Top Channel