Jahjaga, takim me grupin e punës për viktimat e dhunës seksuale

02/11/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti këtë të hënë në një takim anëtarët e grupit të punës për qasjen në drejtësi të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Mes të ftuarve ishin kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peçi; zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina; zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj; si dhe përfaqësuesja e EULEX-it, kryeprokurorja Jaroslava Novotna.

Presidentja Jahjaga i përgëzoi përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, për finalizimin e planit të veprimit për qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke e cilësuar atë si një nismë të rëndësishme të institucioneve të vendit në ofrimin e drejtësisë ndaj këtij grupi interesi.

Jahjaga tha se, qasja në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, me qëllim rehabilitimin e tyre, si dhe theksoi nevojën e ofrimit të mekanizmave ligjorë institucionalë në përputhje me specifikat e këtij krimi të kohës së luftës.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj tha se, për implementimin e këtij plani duhet të bëhen reformat e nevojshme në institucionet e drejtësisë, me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të aktorëve të lidhur me këtë çështje, si dhe ofrimin e mbështetjes për të garantuar fuqizimin e viktimave të dhunës seksuale dhe rritjen e vetëdijes shoqërore për këtë krim lufte.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peçi njoftoi Jahjagën për vendimin e këtij institucioni për përzgjedhjen e 3 gjyqtarëve nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga një gjyqtar në gjykatat rajonale themelore të Kosovës, për të marrë trajnimin e nevojshëm profesional për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës, si dhe me dhunën në familje.

Përkushtimin e tyre për t’iu mundësuar qasje në drejtësi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, e shprehën edhe zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, si dhe përfaqësuesja e EULEX-it, Jaroslava Novotna.

Grupi i punës për qasjen në drejtësi të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është formuar me kërkesë të Presidentes Jahjaga, si pjesë e angazhimeve të saj në kuadër të Këshillit kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Top Channel