Diskriminimi, problem në Kosovë. Por ka shumë pak padi

02/11/2015 00:00

Diskriminimi në Kosovë është i pranishëm në fusha të ndryshme, por të pakta janë rastet e padive të ngritura për këtë çështje. Ky është vlerësimi i dalë nga një tryezë pune të organizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin, me temë “Zbatimi i ligjit për mbrojtje nga diskriminimi – Procedurat dhe autoritetet përgjegjëse – Avokati i Popullit, Gjyqësori dhe aktorët e tjerë – Sfidat dhe mundësitë”.

“Njëra prej sfidave kryesore që kemi mundur të vërejmë është se, ky ligj kërkon që çështjet e diskriminimit të nisen në të njëjtën kohë pothuajse në 5 procedura; administrative, kontestuese, kundërvajtëse, penale dhe para institucionit të Avokatit të Popullit. Mbi të gjitha nuk ka ndonjë sqarim se, cila procedurë do të ketë përparësi dhe në cilin moment. Një situatë jashtëzakonisht e pafavorshme duket të jetë edhe në procedurën penale e atë kundërvajtesë”, tha Hilmi Jashari, Avokat i Popullit në Kosovë.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Erdogan Haxhibeqiri theksoi se, gjatë përvojës së tij të punës në gjykatë është hasur vetëm me një rast kundër diskriminimit, gjë që për të është befasuese. Ai tha se sistemi i drejtësisë duhet të rrisë shkallën e barazisë dhe të trajtimit të barabartë, pa diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në baza gjinore, moshe, gjendjeje martesore, gjuhe apo paaftësie fizike dhe mendore etj.

“Ne jemi dëshmitarë të asaj se, shumë pak raste kemi në gjykata, që kërkojnë mbrojtje në bazë të ligjit kundër diskriminimit. Unë di që, në praktikën time për sa kohë jam në Gjykatë Supreme, ka qenë vetëm një rast i tillë, nga Peja. Por se cilat janë arsyet dhe shkaqet, duhet të diskutojmë. Të gjitha institucionet, veçmas Avokati i Popullit duhet të sensibilizojnë masën e gjerë”, tha Erdogan Haxhibeqiri, gjykatës.

Zëvendëskryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hasim Sogojeva theksoi se, edhe në këtë gjykatë janë të rralla rastet, që paraqiten për mbrojtje.

“Për herë të parë në Kosovë, ligji i diskriminimit është nxjerrë diku rreth vitit 2004 dhe, nga kjo periudhë e këtej në praktikën juridike, qoftë në padi civile apo penale, kemi pasur shumë pak raste me diskriminimin, për të mos thënë fare. Pavarësisht se diskriminimi ekziston në fusha të ndryshme. Në disa raste është vërejtur edhe në praktikën juridike, ku punëdhënësit privatë, me rastin e shpalljes së konkurseve për pranimin e punëtorëve, shpesherë caktojnë si kriter kufizimin e moshës”, tha Hasim Sogojeva, zëvendëskryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Avokati i Popullit është përcaktuar me ligjin e ri si mekanizëm për trajtimin e rasteve, që kanë të bëjnë me diskriminimin. Po ashtu, sistemi gjyqësor ka autorizime të gjëra lidhur me zbatimin e këtij ligji.

Top Channel