F1, Arrivabene i Ferrarit: Morëm leksion përulësie

02/11/2015 00:00

Gara e Meksikës duhet harruar sa më shpejt që të jetë e mundur te Ferrari. Si Vettel, ashtu edhe Raikkonen nuk mundën dot të merrnin asnjë pikë nga kjo garë, pasi asnjë prej tyre nuk e përfundoi atë. Drejtuesi i “Kokëkuqes”, Maurizio Arrivabene, pranoi këtë disfatë, duke shtuar se çfarë ndodhi në Meksikë do t’i shërbejë skuadrës si leksion për të ardhmen.

“Çmimi i Madh i Meksikës ishte një leksion përulësie për ne. Fluturuam shumë lart dhe prekëm qiellin, por u rrëzuam keqazi në tokë. Gjithsesi, skuadra është aty dhe e motivuar. Në Formula 1 mund të ndodhin këto gjëra. Këtë radhë pilotët patën më shumë probleme nga sa duhej. Mësuam se duhet të shohim përpara dhe ne sot kuptuam atë që nuk duhet të bëjmë më”, u shpreh pas garës Arrivabene.

Gjatë garës, në radiot e komunikimit u dëgjua një deklaratë e Sebastian Vettel, i cili kërkoi falje te stafi i Ferrarit për ditën e tij më të errët në këtë sezon të Formulës 1, por Arrivabene deklaroi se nuk kishte asnjë arsye që gjermani ta bënte një gjë të tillë: “Vettel nuk ka pse të na kërkojë falje, ashtu sikurse edhe ne nuk kemi pse t’i kërkojmë falje atij. Por, e përsëris, duke filluar nga ky moment, nuk duhet të bëjmë më të njëjtat gabime”.

Top Channel