Leo Messi do të mungojë ndaj Realit

02/11/2015 11:10

Leo Messi nuk ia del mbanë që të jetë gati për sfidën ndaj Realit të Madridit. Lajmi publikohet nga e përditshmja “Sport”, sipas së cilës riaftësimi i sulmuesit argjentinas po vijon me një ritëm më të ngadaltë nga sa u mendua.

Mësohet se Messi filloi të mbështesë këmbën në tokë 7 ditë më vonë nga koha e përcaktuar e për më tepër ai nuk është ende në gjendje që të vrapojë. Një situatë kjo që e përjashton përfundimisht mundësinë e riaftësimit të tij deri në mesin e muajit nëntor.

Gjithsesi, argjentinasi duket se po e jeton me qetësi këtë situatë. Objektivi i 28-vjeçarit tashmë është riaftësimi i tij i plotë, me synimin që të jetë protagonist absolut në fazën më vendimtare të sezonit.

Ndërkaq, trajneri Luis Enrique po ndryshon planet e tij për “Klasiken”. Asturiani po mendon që të aplikojë skemën 4-4-2, për të nxjerrë akoma më shumë në pah cilësitë e Neymar dhe Luis Suarez, të cilët në këtë moment po e mbajnë mjaft mirë sulmin e Barcelonës. Braziliani është në kuotën e 9 golave deri tani, shënuesi më i mirë për momentin i kampionatit spanjoll, ndërsa uruguajani ka 8 të tillë, gola këto që po e mbajnë skuadrën katalanase të jetë përkrah Realit në krye të renditjes.

Top Channel