Partizani i pandalshëm, fitorja e 8 radhazi

01/11/2015 00:00

Partizani ka arritur të marrë tri pikë të arta në Durrës, në përballje me Teutën. As djemtë e Gugash Maganit nuk arritën të ndalnin “demat e kuq” të cilët falë golit të Lorenc Trashit morën fitoren e tetë radhazi në Superiore.

Takimi nisi me dyluftime të ashpra, por të dyja skuadrat nuk kishin kthjelltësi në ndërtimin e aksioneve, aq sa rastet në fraksionin e parë ishin më pikatore.

Gjatë 45 minutave të para niveli i lojës nuk u ngjit në parametrat e kërkuar, pasi si Partizani, ashtu edhe Teuta, menduan më shumë për fazën mbrojtëse.

Në minutën e 57, Partizani pretendon për 11-metërsh në zhvillimet e një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Kalari, por për gjyqtarin Sino nuk ka prekje me dorë të futbollistit të Teutës.

Gjithsesi goli i Partizanit nuk do të vononte shumë pasi në minutën e 72 Bardhi ia shpërblen besimin Starovës duke asistuar Trashin, i cili i gjen kohën e duhur topit për ta dërguar pas shpinës së Mockës për 0-1.

Pak çaste më pas shtohet telashet për Partizanin pas një përplasjeje në zonë mes Hoxhës dhe Krasniqit, me portierin e Partizanit që dërgohet menjëherë në spital me ambulancë, ndërsa mbrojtësi kavajas rikthehet në lojë me kokën e fashuar.

Në minutat e fundit të kuqtë u fokusuan totalisht në mbrojtje të avantazhit, duke thyer të gjitha aksionet e durrsakëve derisa gjyqtari Sino vërshëlleu për herë të fundit pasi kishte akorduar 8 minuta shtesë.

Top Channel