NBA, Golden State regjistron fitoren e tretë radhazi

01/11/2015 00:00

Golden State shënon një tjetër fitore në këtë fillimsezoni të NBA-së. Skuadra kampione në fuqi mposhti sërish New Orleans me rezultatin 134-120.

Në “King Center”, ai që dhuroi sërish spektakël ishte pikërisht Stephen Curry, që u shpall edhe MVP i sezonit të kaluar. Curry shënoi 53 pikë në këtë përballje, një më pak se rekordi personal i vendosur në vitin 2013.

Vetëm në periodën e tretë, Curry shënoi 28 pikë nga 41 të Warriors, ndërkohë që e gjithë skuadra e New Orleansit shënoi 26 pikë. Anthony Davis e mbylli takimin me 26 pikë, por New Orleans shënoi disfatën e tretë radhazi.

Edhe për Brooklyn, fillimi i këtij sezoni është krejtësisht për t’u harruar. Ashtu si New Orleans, edhe skuadra e Netsave regjistroi humbjen e tretë radhazi, duke u mposhtur kësaj here nga Memphis 91-101.

Në “FedEx Forum”, skuadra e Grizzlies iu imponua Brooklynit falë 22 pikëve të Mike Conley dhe 15 pikëve e 13 topave në tabelë të Zach Randolph. Në krahun tjetër, basketbollistët e Netsave bënë shumë pak me Bogdanoviç, që e mbylli sfidën me 19 pikë personale.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Los Angeles Clippers mundi Sacramenton 114-109, Nju Jork fitoi me Uashingtonin 117-110, Utah iu imponua Indianës 97-76, ndërsa Phoenix mposhti Portlandin 101-90.

Top Channel