Mourinho, më pranë largimit nga Chelsea; rikthim në Madrid?

01/11/2015 00:00

Jose Mourinho është gjithnjë e më pranë shkarkimit nga Chelsea, pavarësisht deklaratave të tij për të kundërtën. Humbja me Liverpulin 1-3 në “Stamford Bridge” e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën e trajnerit portugez, që këtë sezon po regjistron rezultatet më të dobëta në pankinën e bluve të Londrës.

Ende nuk dihet se cili klub mund të jetë destinacioni i ardhshëm i 52-vjeçarit, por sipas asaj që publikohet te “Daily Express” nuk përjashtohet mundësia, që Mourinho të rikthehet te Reali i Madridit. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, klubi madrilen do të marrë një vendim në lidhje me këtë rikthim të luzitanit në Madrid, por në funksion të rezultateve që “Los Blancos” do të kenë me Benitezin.

Drejtuesit e Realit të Madridit e vlerësojnë në maksimum punën e bërë nga Mourinho gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin spanjoll, ndërkohë që edhe një pjesë e tifozerisë së kësaj skuadre e dëshiron ta shohë atë sërish në pankinën e 10 herë kampionëve të Europës.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet harruar se për Mourinhon ka shfaqur interes së fundmi edhe Paris St Germain, por është folur shumë edhe për mundësinë, që ai të marrë drejtimin e përfaqësueses portugeze.

Tani, ajo që duhet të zgjidhet te Chelsea është pikërisht çështja e pagesës së trajnerit. Mësohet se Roman Abramoviç do të pranojë t’i paguajë Mourinhos vetëm 13 milionë euro si dëmshpërblim dhe jo 50 milionë siç përcaktohet në kontratën e tij.

Top Channel