Kosova në UNESCO, Mustafa: Vazhdojmë me fushatë pozitive

31/10/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala kanë mbajtur të shtunën një konferencë për media për të konfirmuar angazhimet e fundit para datës kur do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Mustafa tha se gjatë kontakteve me liderët të shteteve të ndryshme, i kanë siguruar se Kosova do të kujdeset për trashëgiminë e të gjithë qytetarëve të saj, ashtu siç e parasheh Pakoja e Ahtisaarit mbi të cilën është shpallur pavarësia. Ai tha se në këtë fazë të fundit para anëtarësimit, liderët e shtetit serb kanë ndërmarrë një fushatë të egër kundër Kosovës, por sipas tij, shteti kosovar do të vazhdojë me fushatë pozitive, pasi sipas tij e gjithë bota e dinë çfarë ka bërë Serbia në Kosovë.

“Po të nxjerrim ne fakte se sa njerëz kanë humbur jetën në Kosovë për shkak të luftës, për shkak të sjelljeve që forcat paramilitare dhe të ushtrisë serbe i kanë bërë këtu. Sa kemi të pagjetur akoma, sa objekte fetare dhe objekte tjera janë shkatërrua, atëherë kjo nuk do të ishte mënyra më e mirë që ne të dalim dhe të bëjmë kërkesë për anëtarësim në UNESCO, siç e konsiderojmë se është krejtësisht mënyrë e gabuar e Serbisë që të tentoj që përmes këtyre të argumenteve, të parandaloj ose të pengoj anëtarësimin tonë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Pas procesit të votimit që do të ndodhë më 9 nëntor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe SPorit Kujtim Shala tha se do të ketë edhe fushatë informuese por edhe konferenca ndërkombëtare për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Në Kosovë mungon një infrastrukturë e cila do të ishte e plotë, e informacionit dhe publikimeve. Për këtë ne kemi punuar shumë me institucionet kryesore të kulturës, me institucione publike nacionale dhe ato rajonale, që gjatë vitit të ardhshëm ta përpilojnë një program pune i cili do të përqendrohet më shumë nga publikimet. Kjo si fazë e parë përfshinë katalogë, skeda dhe guida të ndryshme të cilat do të shpërndahen për informim”, u shpreh Kujtim Shala, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në fund të konferencës, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Kulturës treguan se në ditët e mbetura deri në datën e votimit do të kërkojnë nga të gjitha shtetet mike të Kosovës që të ndihmojnë në sigurimin e votave të nevojshme për anëtarësim në UNESCO.

Top Channel