Në një varr masiv për refugjatët është shndërruar deti Egje pas tragjedive të njëpasnjëshme në ditët e fundit pranë ishujve grekë, ku shumica e viktimave janë fëmijë të vegjël.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, nga 2 shtatori deri në 30 tetor të këtij viti mbi 100 fëmijë të vegjel, 31 prej të cilëve vetëm në 48 orët e fundit, janë mbytur në përpjekjet e prindërve të tyre për të lënë pas Sirinë dhe zonat e tjera të luftës në Lindjen e Mesme.

Në dy ditët e fundit pranë ishujve grekë janë mbytur gjashtë barka me qindra refugjatë, dy në ishullin e Lesbos, një në Agathonisi, dy në Samo dhe një në Kalimno.

Rreth 3.000 persona janë mbytur  ndërkohë që nga janari i këtij viti teksa përpiqeshin të kalonin detin nga Turqia drejt Greqisë. Por pavarësisht rritjes së numrit të viktimave, fluski i emigrantëve është i pandalshëm.

Greqia po lobon fort që regjistrimet dhe zhvendosja e refugjatëve drejt Europës qendrore të bëhen nga Turqia, para se ata të rrezikojnë jetën e tyre dhe të rrisin fitimet e kontrabandistëve të cilët, sipas dëshmive të fundit, kanë ofruar edhe zbritje deri në 50% të çmimit në udhëtimin me barka në Egje, që shpesh herë në vend të së ashtuquajturës “parajsë europiane” përfundon në ferrin e vdekjes.

Më herët gjatë së premtes, në një fjalim në Parlament, kryeministri grek Aleksis Tsipras, duke shprehur pikëllimin e tij të thellë për dhjetëra viktimat e orëve të fundit në ujërat e Egjeut, përdori një gjuhë të ashpër në lidhje me trajtimin e çështjes së refugjatëve nga ana e BE-së.

“Dua të them se si një anëtar i udhëheqjes europiane ndjej turp, turp si për paaftësinë e Europës për të përballuar në mënyrë efikase këtë dramë njerëzore, ashtu edhe për cilësinë e diskutimit mbi këtë çështje”, deklaroi Tsipras.

Duke shprehur simpatinë e tij për repartet e rojave bregdetare greke që shpëtojnë çdo ditë qindra jetë, si dhe për banorët e ishujve që megjithëse të varfër ndajnë çdo gjë me qindra mijëra refugjatë, Tsipras shigjetoi pazarllëkun që sipas tij po bën Turqia për të marrë para nga BE në kurriz të refugjatëve.

Ndërsa grekët, sipas tij, një komb i varfër por i pasur me vlera njerëzore, nuk kërkojnë asnjë qindarkë të vetme për të bërë detyrën e tyre ndaj njerëzve që u vdesin para pragut të shtëpisë. Ai u shpreh se, Greqia po jep leksion mbi humanizmin dhe po u mëson partnerëve europianë se cila është fytyra e vërtetë e Europës.

“Këto ditë, valët e Egjeut nuk po nxjerrin vetëm fëmijë të vdekur, por po nxjerrin në brigjet tona vetë qytetërimin europian. Janë lotë krokodili ato që po derdhin në BE, sepse fëmijët e vdekur gjithmonë ngjallin trishtim, por për fëmijët që janë të gjallë, të cilët vijnë dhe janë bërë pirgje në rrugë, askush nuk interesohet”, tha Tsipras.

Top Channel