NBA, fitore për Clippers dhe Grizzlies

30/10/2015 11:10

Los Angeles Clippers shkatërroi Dallas Mavericks në atë që ishte ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes në NBA. Në “Staples Center”, skuadra kaliforniane iu imponua asaj nga Teksasi me rezultatin 104-88, me Dallasin që luajti pa dy prej lojtarëve kryesorë të tij: Wes Matthews dhe Deron Williams.

Për Clippers, protagonisti i sfidës ishte Blake Griffin me 26 pikë dhe 10 topa në tabelë, ndërsa DeAndre Jordan, për të cilin u mendua një kalim te Mavericks, e mbylli takimin me 6 pikë, 15 topa në tabelë dhe 4 stopime.

Memphis Grizzlies e mori menjëherë veten pasa asaj humbjeje turpëruese me Cleveland Cavaliers. Në Indianapolis, Grizzlies iu imponua skuadrës vendase të Indiana Pacers, duke e mundur me rezultatin 112-103. Ishte perioda e fundit ajo në të cilën Memphis bëri edhe diferencën në parket, për të regjistruar më pas edhe suksesin. Marc Gasol me 20 pikë dhe Mike Conley me 13 pikë e 10 assist ishin më të mirët për skuadrën e Grizzlies, ndërkohë që për Indianën nuk mjaftuan 20 pikët e George Hill.

New York Knicks nuk bëri një paraqitje të mirë përballë publikut të tij në “Madison Square Garden”, teksa u mund nga Atlanta Hawks me rezultatin 101-112. Njujorkezët ishin gjatë gjithë kohës në ndjekje të skuadrës mike, që i mbylli dy periodat e para me 16 pikë avantazh. Kjo situatë vijoi edhe në 2 periodat e tjera, me New York që e pati të vështirë të reduktojë diferencën me Atlantën, pavarësisht 25 pikëve të Carmelo Anthony.

Top Channel