Partia Demokratike Shqiptare në opozitë vlerëson se qeveria e Maqedonisë, përmes aksioneve policore në Kumanovë po tenton të krijojë pasiguri tek shqiptarët që jetojnë në këtë qytet.

“Ende pa u shëruar plagët nga ngjarjet e fundit në ‘Lagjen e Trimave’, kur familje të tëra shqiptare me gra, pleq e fëmijë ende janë të trishtuar dhe të tronditur, qeveria VMRO-BDI përsëri ndërmerr aksion për të mbjell pasiguri tek shqiptarët e Kumanovës”, deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Në seancën e rregullt mujore kushtuar llogaridhënies së ministrave para të zgjedhurve të popullit, deputeti i PDSH-së opozitare, Bekim Fazliu, akuzoi partinë e Ali Ahmetit BDI, për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni.

Ai tha se ministrat e kësaj partie në qeverinë e Gruevskit heshtin për problemet në arsimin shqip, lejojnë që shqiptarët të plaçkiten përmes buxhetit shtetëror dhe nuk ndërmarrin asgjë për të përmirësuar situatën e rëndë në Tetovë që është krijuar nga ajri i ndotur.

“Në tragjedinë e shqiptarëve juve ju shkon mendja të bëni humor të zi. Të nderuar shqiptarë, të nderuar tetovarë, ja sot nga indeksi i ndotjes që e kemi, Tetova për nga ndotja rezulton të jetë në vendin e parë në rang botëror”, u shpreh Fazliu.

Këtyre akuzave të PDSH-së nuk i është përgjigjur asnjë funksionar i BDI-së, pasi ministrat apo zv.ministrat shqiptarë të kësaj partie, nuk ishin e prezent në seancën parlamentare.

Top Channel