Parrulla në Kuvend, teksa Presidenti i Austrisë apelon për shtet ligjor

29/10/2015 11:45

Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë riktheu normalitetin në Kuvend, të paktën për një orë. Fjalimi i tij solli në seancën parlamentare edhe deputetët e opozitës, të cilët prej kohësh bllokojnë punimet e Kuvendit.

Në një fjalim me mesazhe paqeje, Presidenti austriak shpalosi mendime për pluralizmin politik, demokracinë dhe Europën, si një bashkim shtetesh i ardhur pas shumë tensionesh e luftërash.

“Apeloj ndaj jush për një pluralizëm të gjallë të partive politike, të cilat dallojnë dhe u japin oferta të ndryshme qytetarëve për çështje themelore, siç është respektimi i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, interesave të politikës së jashtme etj. Nuk ka demokraci përfekte, vetëm në utopi mund ta gjejmë një të tillë, mirëpo demokracia bëhet nga njerëzit”, tha Heinz Fischer, President i Austrisë.

Edhe në këtë seancë solemne, opozita nuk qëndroi duarkryq. Deputetët e Lëvzijes Vetëvendosje shpalosën parrulla me mbishkrimet: “Ruaje shpinën z. President, gënjeshtarë të korruptuar janë ulur prapa jush” dhe “Mjaft me kënaqjen e hegjemonisë së Serbisë”.

Lidhur me aktualitetin politik, Presidenti Fischer pati dy porosi: të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara, si dhe Kosova të fuqizojë politikën e jashtme drejt integrimit në BE.

“Ne si Austri jemi të angazhuar, që të respektohen marrëveshjet që arrihen. Miku im Ahtisaari ka qenë aktiv në shtetndërtimin tuaj dhe duam që këto marrëveshje të realizohen në mënyrë paqësore dhe të mbahen ashtu siç janë parashikuar. Për politikën e jashtme të Kosovës është e qenësishme rruga e saj drejt BE-së. Kjo ka kuptim, sepse integrimi në BE nuk është asgjë tjetër, veçse një mësim nga historia”, tha Heinz Fischer.

Në emër të institucioneve të Kosovës, kryeparlamentari Kadri Veseli vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Austrisë për të ndihmuar Kosovën, si një nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e saj.

Presidenti Fischer u prit mëngjesin e së enjtes nga kryeministri Isa Mustafa, ndërsa i shoqëruar edhe nga biznesmenë austriakë mori pjesë në një forum ekonomik, ku kishte edhe afaristë nga Kosova.

Top Channel