Blatter: Ja si më tradhtoi Platini

28/10/2015 00:00

Sepp Blatter ka pranuar se ishte rënë dakord që përpara votimit se Botërori i 2018-s t’i jepej Rusisë, ndërsa ai i vitit 2022 Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Blatter nuk ka sqaruar se ishte bërë kjo marrëveshje, por ka fajësuar Platininë i cili sipas tij, ndryshoi rezultatet e paramenduara të votimit, duke bërë që Botërori i 2022-s të shkojë në Katar dhe jo në SHBA.

“Në vitin 2010 ne kishim një diskutim për Kupën e Botës dhe morën një vendim të dyfishtë. Për Botërorin e 2018-s ramë dakord që t’i jepej Rusisë, sepse ky event nuk ishte mbajtur asnjëherë në Europën Lindore, dhe ai i 2022-s të rikthehej në Amerikë. Kështu do të kishim Botërorin në dy vendet me fuqinë më të madhe politike.

“Dhe gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur (Presidenti francez Nicolas) Sarkozy erdhi të më takojë me Princin, dhe tani sundimtarin, e Katarit. Më pas, pas një dreke me Platininë ai më thotë që do të ishte më mirë që Botërori t’i jepej Katarit. Këtu ndryshuan gjërat.

“Pastaj kishte një votim të fshehtë. 4 vota nga Europa nuk i shkuan SHBA-së dhe rezultati ishte 14 me 8. Nëse ju shtoni 4 vota, do të kishte qenë 12 me 10. Nëse Botërori do t’i jepej SHBA-së, ne tani do të ishim duke folur vetëm për një Botëror të mrekullueshëm në Rusi dhe aspak për problemet në FIFA”, u shpreh Blatter.

Në intervistën me agjencinë ruse të lajmeve “Tass”, Blatter ka sulmuar më drejtpërdrejt Platininë, duke thënë se kishte ambicie të bëhej numri një i FIFA-s.

“Fillimisht ishte Platini kundër meje. Gjithçka u ideua nga ai. Platini e filloi dhe më pas u bë politike. Dhe kur bëhet politike nuk është më Platini kundër Blatter, por ata që nuk arritën të fitojnë garën për organizimin e Botërorit. Pra Anglia kundër Rusisë, SHBA kundër Katarit”, u shpreh Blatter.

Zvicerani deklaroi se ftohjet e para me Platininë filluan pasi UEFA nuk e ftoi atë në ceremoninë e hapjes së Europianit 2008 që u mbajt në Zvicër dhe Austri.

Top Channel