Prapaskenat, Maqedoni-Shqipëri s’do luhet në Shkup?

28/10/2015 00:00

Duhet më shumë se një vit që të startojnë Kualifikueset e Botërorit 2018 dhe Kombëtarja kuqezi të luajë ndeshjen e parë kundër Maqedonisë më 5 shtator 2016, por në shtetin fqinj kanë nisur të mendohen pikërpisht për sfidën e parë që hap Grupin G.

Kundërshtarët po mendojnë se si të mos lejojnë që stadiumi të mos mbushet vetëm me shqiptarë, prandaj po shqyrtohet spostimi i sfidës nga Shkupi, për faktin s embështetja për Shqipërinë do të ishte shumë e madhe, pasi në kryeqytet jetojnë mijëra njerëz me origjinë shqiptare.

“Supersport” njofton se Federata maqedonase kërkon që ndeshja të mos luhet në stadiumin “Filipi i Dytë”, pavarësisht kapacitetit prej 33.460 vende dhe faktit që është i vetmi stadium që plotëson kriteret e licencimit nga UEFA.

Sipas burimeve jozyrtare, Maqedoni-Shqipëri mund të luhet në Strumicë, qytetin më të largët lindor prej kufiri me Shqipërinë, por imazhet e stadiumit “Mladost”, me kapacitet më të ulët se 6.400 vende, vështirë se plotëson krieteret e UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare.

Ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë cilësohet e rrezikshme, kjo edhe për faktin se në nëntor të vitit 2011, në miqësoren e fundit në Prilep, grupimi “Majmunët” fyen himnin shqiptar dhe lëshuar thirrje raciste dhe që nxisnin urrejtje etnike.

Top Channel