Sllovenia ka kërcënuar se do të ngrejë një gardh me tela përgjatë kufirit të saj me Kroacinë, nëse plani i BE-së për të cilin u ra dakord ditën e diel nuk do të implementohet.

Rreth 85 mijë refugjatë kanë hyrë në vendin e vogël në 10 ditët e fundit, pasi Hungaria mbylli kufirin e saj me Kroacinë.

Në veri të Hungarisë, Austria pritet të ngrejë gjithashtu barriera për të kontrolluar turmat me refugjatë. Afrimi i dimrit nuk e ka ulur aspak fluksin e emigracionit.

OKB vlerëson se mbi 700 mijë emigrantë kanë arritur në Evropë përmes detit që nga fillimi i vitit, shumica e të cilëve nga Siria e përfshirë nga lufta.

Disa vende tranziti janë përpjekur të kufizojnë fluksin, duke përfunduar në përplasje dhe tensione me fqinjët e tyre.

Shumica e emigrantëve synojnë të arrijnë veriun e Evropës, kryesisht Gjermaninë, që pritet të marrë deri në 1 milion azilkërkues. Por tensionet janë rritur edhe në vetë vendin që konsiderohet “lokomotiva” e Europës.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere u ankua këtë të mërkurë se Gjermania i ka dhënë Afganistanit ndihma në të gjitha format dhe se afganët bëjnë mirë të qëndrojnë në vendin e tyre dhe ta rindërtojnë atë.

“Të gjithë njerëzit që vijnë tek ne si refugjatë nga Afganistani nuk mund të presin që të qëndrojnë në Gjermani”, tha De Maiziere.

Edhe marrëdhëniet miqësore mes Gjermanisë dhe Austrisë janë “lënduar” në ditët e fundit, me Berlinin që akuzon Vjenën se ia ka lënë emigrantët në kufi.

Top Channel