Asociacioni, Bushati: Çështje delikate, të veprojnë sipas ligjit kosovar

28/10/2015 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare bëri këtë sqarim pyetur nga studentë të Fakultetit shtetëror të Shkencave Sociale, për të cilët dha gjithashtu të parin qëndrim të Tiranës zyrtare për debatin e ashpër politik në Kosovë mes qeverisë dhe opozitës, për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me Serbinë.

“Kornizat janë të përcaktuara shumë qartë në marrëveshjen e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Çdo gjë do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe çdo gjë do të jetë në përputhje me kuadrin normativ të Kosovës”, tha më tej ministri Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare u tregua i kujdesshëm në pozicionimin mes dy qëndrimeve të ashpra, që kanë ndarë politikën kosovare pro dhe kundër marrëveshjes për Asociacionin. Megjithatë, ai nuk mohoi ekzistencën e shqetësimit për këtë marrëveshje, kur solli si rast marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjen, që megjithëse kanë kaluar shumë vite, nuk e kanë zgjidhur problematikën në këtë vend.

“Natyrisht që shqetësimi është lëgjitim. Unë mirëkuptoj shqetësimin që ngrihet për sa i përket funksionalitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Në këtë pikëpamje gjykoj që rruga më e mirë është rruga e dialogut edhe me partnerët strategjikë, që e kanë mbështetur Kosovën për të qenë në tryezat kryesore të platformave rajonale”, shpjegoi kryediplomati shqiptar.

Ditmir Bushati iu përgjigj një serie pyetjesh nga studentët për politikën tonë të jashtme. Të vetmen përgjigje, që ai preferoi të mos e ndajë ndoshta me diplomatët e ardhshëm, ishte interesimi i një studenti pragmatist, që e pyeti atë drejtpërdrejt sesi mund të bëhesh ministër i Jashtëm.

Top Channel