Kosovë, Kuvendi me seancë të enjten. Do të flasë Presidenti i Austrisë

28/10/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten të mbahet një seancë solemne parlamentare në të cilën deputetëve do t’u drejtohet Presidenti i Austrisë Heinz Fischer, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Blerim Latifi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, tha se adresimi i Presidentit austriak do të jetë pika e vetme rendit të ditës në seancën e së enjtes.

“Në këtë seancë do t’u drejtohet deputetëve të Kosovës Presidenti i Autrisë, Heinz Fischer. Domethënë mbledhja ka qenë pikërisht për formalizimin e kësaj seance e cila do të mbahet nesër në ora 9 e 30”, deklaroi Latifi.

Edhe pse partitë opozitare sërish e bojkotuan mbledhjen e Kryesisë, kanë vendosur që mos ta pengojnë mbajtjen e seancës solemne ku i pranishëm do të jetë presidenti austriak duke u shprehur në një deklaratë se ky është një nder që i bëhet Kuvendit.

Liderët e AAK-së, Vetëvendosjes dhe Nismës, të mërkurën kanë mbajtur një takim të përbashkët ku janë pajtuar që deputetët e opozitës të mos bllokojnë seancën e adresimit të Presidentit austriak dhe po ashtu të lejojnë edhe mbajtjen e seancës ku duhet të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Në një qëndrim të përbashkët të opozitës, thuhet se ky është një qëndrim parimor dhe nuk e ndryshon pozicionin e saj për marrëveshjet e Demarkacionit dhe Asociacionit.

Partitë opozitare kërkojmë nga shumica parlamentare që të mos të provojë që në emër të gatishmërisë për të mos bllokuar ratifikimin e MSA-së, të kontrabandojë tema të tjera në të njëjtën mbledhje.

Liderët e opozitës kanë vlerësuar se MSA-ja, pavarësisht të mirave të veta, ka të meta që mund të kenë reflektime negative politike pasi BE nuk e njeh Kosovën si shtet.

Top Channel