Prishtinë, sot në 15:30 ceremonia mortore e moderatorit të RTK-së

28/10/2015 00:00

Këtë të mërkurë, në orën 15:30, në varrezat e Prishtinës zhvillohet ceremonia mortore e moderatorit të “Radio Kosovës”, Emin Rexhepi, i cili gjeti vdekjen të martën duke u hedhur nga ndërtesa e radios ku ai punonte.

Ai ishte 39 vjeç dhe ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë. Përmes një telegrami ngushëllimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ngushëlloi familjen e të ndjerit Rexhepi dhe komunitetin e gazetarëve për humbjen e kolegut të tyre.

Në telegram thuhet se, kjo është një humbje për Gazetarinë dhe se dëgjuesve do t’iu mungojë një zë, i cili i ka shoqëruar në emisione të ndryshme në radio.

Stafi menaxherial i RTK-së, nëpërmjet një njoftimi shprehu pikëllimin e thellë për vdekjen e Emin Rexhepit, i cili përshkruhet si një punëtor i zellshëm në RTK. I ndjeri ishte emër i njohur në Prishtinë, jo vetëm për emsionin e tij, por edhe për njohuritë që ka pasur për muzikën dhe artin në përgjithësi.

Një mesazh ngushëllimi ka dhënë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili shkruan në Facebook se “është e pamundur për ata që janë rritur në lagjet e Prishtinës, e që e kanë përcjellë rrymën muzikore Rock/Alternativë, e kanë dal nëpër vende të tjera, mos ta takojnë e mos ta njohin Emin Rexhepin. Siç tha një miku im, Emini ishte ‘një nga ikonat e Prishtinës’. Ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e Emin Rexhepit”.

Top Channel