Presidencialet e FIFA-s, konfirmohen kandidatët

28/10/2015 00:00

FIFA ka konfirmuar këtë të mërkurë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen më 26 shkurt të vitit 2016, pas dorëheqjes së deklaruar të kreut aktual të organizmit më të lartë të futbollit botëror, Joseph Blatter.

Kandidatët në fjalë janë Princi Ali bin al-Hussein, Musa Bility, Jerome Champagne, Gianni Infantino, Michel Platini, sheiku Salman bin Ebrahim al-Khalifa, si dhe Tokyo Sexwale. Ndërkohë, ish-futbollisti i Trinidadid dhe Tobagos nuk është përfshirë në këtë listë.

Zgjedhjet do të zhvillohen për të përcaktuar pasuesin e të pezulluarit Sepp Blatter, i cili është duke u hetuar penalisht. 79-vjeçari zviceran njoftoi dorëheqjen e tij në qershor, vetëm pak ditë pasi ishte rizgjedhur në atë post, pasi FIFA u përfshi në një skandal korrupsioni.

Por, cilët janë kandidatët për president të FIFA-s?

– Princi Ali bin al-Hussein, 39 vjeç, është president i Federatës së Futbollit të Jordanisë
– Musa Bility, 48 vjeç, është president i Federatës së Futbollit të Liberisë
– Jerome Champagne, 57 vjeç, është një ish-ekzekutiv i FIFA-s
– Gianni Infantino, 45 vjeç, është aktualisht sekretar i përgjithshëm i UEFA-s
– Michel Platini, 60 vjeç, është aktualisht president i UEFA-s (edhe ky i pezulluar)
– Sheiku Salman bin Ebrahim al-Khalifa, 49 vjeç, është president i Konfederatës aziatike të Futbollit
– Tokyo Sexwale, 62 vjeç, është ish-ministër i një qeverie të Afrikës së Jugut

Presidenti i UEFA-s, Platini është gjithashtu i pezulluar, por Komiteti Zgjedhor i FIFA-s ka bërë të ditur se mund ta lejojë francezin të garojë, nëse pezullimi i tij do të përfundojë përpara datës së zgjedhjeve.

Prokurorë zviceranë dhe amerikanë kanë nisur hetimet në lidhje me raportimet për një pagesë prej 1,35 milionë paund të bëra në vitin 2011 për punën e Platinisë si këshilltar i Blatterit. Të dy këta mohojnë të kenë kryer ndonjë parregullsi, si dhe kanë apeluar vendimet për pezullimin e tyre me 90 ditë nga të gjitha aktivitetet.

Të gjithë kandidatët do të duhet të marrin mbështetjen me shkrim të 5 federatave anëtare të FIFA-s, për të mundësuar kandidimin e tyre, sipas rregullores zgjedhore të FIFA-s.

Top Channel