Qeveria e Shkupit, e ndihmuar edhe nga partneri shqiptar i koalicionit, Bashkimi Demokratik për Integrim, në mënyrë të organizuar plaçkitin shqiptarët përmes buxhetit shtetëror. Këto akuza i kanë bërë deputetët e PDSH-së opozitare gjatë debatit rreth projekt-buxhetit për vitin 2016 të propozuar nga qeveria.

Ernad Fejzullahu, deputet i PDSH-së, u shpreh: “Tetë vite deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim votojnë për buxhete diskriminuese dhe pastaj këtu e shesin atë diskriminim si mirëqenie. Çdo vendbanim shqiptar, nga fshati Llojan deri në Manastir, ballafaqohet me përbuzje dhe diskriminim”.

Në bazë të analizave që i kanë bërë deputetët e PDSH-së, 30% e buxhetit shtetëror në Maqedoni mbushet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që për vendbanimet e tyre në vitin 2016 do të ndahen vetëm 1% e mjeteve buxhetore të parashikuara për investime.
“Pjesa kryesore e fajit bie mbi këta të BDI që thonë se janë shqiptarë, mbi këta që janë në qeveri dhe thonë se e kanë legjitimitetin dhe përfaqësojnë shqiptarët. Lideri i tyre është, lideri më i kriminalizuar në historikun e subjekteve politike shqiptare”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Edhe pse i pranishëm në seancën ku zhvillohej debati rreth buxhetit, shefi i Grupit Parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, nuk i ka komentuar akuzat e rënda që adresoi opozita në drejtim të partisë së tij.

Ndërkohë, ministri maqedonas i Financave, Zoran Stavrevski ka pranuar vetëm një nga gjithsej 175 amendamente të propozuara nga deputetët e PDSH-së, të cilët kërkonin më shumë projekte për zonat shqiptare: “Amandamenti nuk pranohet, sepse nuk është pjesë e programit qeveritar”.

Projektbuxheti për vitin 2016 është kundërshtuar edhe nga partia maqedonase në opozitë LSDM, e cila vlerëson se buxheti shtetëror vitin e ardhshëm do të jetë jo zhvillimor.

Top Channel